×
  • Lajme
  • Lajme / Konsultimet

    E përjashtoi nga takimi me liderët, Osmani e priti sot Limajn me kërkesë të tij

    Reporteri
    19 Maj 2025 | 17:17

    Presidentja e Kosovës,  Vjosa Osmani ka pritur në takim kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

    Sipas një njoftimi të Presidencës takimi është zhvilluar pas kërkesës së këtij të fundit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Në vazhdën e konsultimeve politike lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, sot Presidentja Vjosa Osmani, pas kërkesës së pranuar nga Nisma Socialdemokrate, ka takuar kryetarin e saj, z. Fatmir Limaj.”, ka njoftuar Presidenca.

    Të enjten javës që shkoi në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje për ngërçin e krijuar Osmani takoi liderët e partive parlamentare në Kosovë.

    Takimi u mbajt për zhbllokimin e ngërçit politik, i shkaktuar nga dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tre muaj pas zgjedhjeve.

    Osmani pas takimit tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se ka parë një “disponim minimal” tek liderët partiak për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

    Presidentja Osmani paralajmëroi se mund t’i takojë edhe ndaras secilin lider nëse ka nevojë. Osmani po ashtu tha se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, por se aktualisht do të presin. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim për këtë.

    “Kam shprehur gatishmërinë pas diskutimeve që të shohim rrugën përpara në qoftë se është e nevojshme, mirëpo për momentin mendoj që duhet të vazhdojnë përpjekjet për krijim me vetë vullnetin e partive, Nëse zvarritet shumë, janë disa opsione. Një opsion është vetë deputetët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Mënyra tjetër është që unë si president ti drejtohem Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë presidentja Osmani.

    Kujtojmë se ditën e djeshme, për herë të 16-të nuk ka arritur të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, saktësisht një muaj më parë.

    Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!