×
  • Lajme
  • Lajme

    E propozoi, por s’mori përgjigje: Çka është marrëveshja e EFTA-EEA që Kryeministri Kurti e përmendi në Bruksel?

    Reporteri
    15 Qershor 2021 | 17:23

    Sot gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar për herë të parë zyrtarisht me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve e të ndihmuar nga Brukseli. Në takim Kurti paraqiti katër pika, tri nga të cilat iu refuzuan e vetëm njëra nuk mori përgjigje nga delegacioni serb i kryesuar nga Vuçiq e Nikola Selakoviç.


    E pika e vetme pa përgjigje ishte ideja e Kurtit në lidhje me avancimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të njohur si CEFTA.

    “Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në”, shkroi kryeministri Kurti në profilin e tij në Facebook.

    Krahas këtij propozimi, Kurti tentoi t’i shtrojë në tavolinën e dialogut edhe mundësinë e nënshkrimit të një traktati paqeje ndërmjet Kosovës e Serbisë, çështjen e të pagjeturve e reciprocitetit bilateral përfshirë çështjen e pakicave, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Për të gjitha këto ide të reja, Kurti tha se shpreson që Vuçiq e Selakoviq të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve.

    Por çfarë është EFTA-EEA që Kurti e mori si paralele për avancimin e CEFTA-s?

    E nënshkruar në vitin 1992, Marrëveshja për Zonën Ekonomike Evropiane i bashkon në një treg të vetëm shtetet anëtare të BE-së me tri shtete pjesë e EFTA-EEA e që janë Islanda, Norvegjia e Lihtenshtajni.

    Ky treg i përbashkët njihet si tregu i brendshëm, Marrëveshja e EEA-së garanton të drejta dhe obligime të barabarta brenda tregut të brendshëm për njerëzit dhe operatorët ekonomik.

    “Marrëveshja siguron përfshirjen e legjislacionit të BE-së që mbulon katër liritë – lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, personave dhe kapitalit – në të gjithë 30 shtetet e EEA-së. Për më tepër, Marrëveshja përfshin bashkëpunimin në fusha të tjera të rëndësishme si kërkimi dhe zhvillimi, arsimi, politika sociale, mjedisi, mbrojtja e konsumatorit, turizmi dhe kultura, të njohura si politika anësore dhe horizontale”, thuhet në webfaqen e EFTA-s.

    Kjo marrëveshje që hyri në fuqi në janar të 1994 thekson se kur një vend bëhet anëtare e BE-së duhet të aplikojë gjithashtu për t’u anëtarësuar në Marrëveshjen e EEA-s me synimin e krijimit të një zone homogjene ekonomike evropiane, shkruan Reporteri.net.

    Në këtë kontekst, i gjithë legjislacioni i BE-së që ka për qëllim rregullimin e tregut të përbashkët është i integruar në Marrëveshjen e EEAS duke siguruar aplikim uniform të ligjeve.

    Nëpërmjet kësaj Marrëveshja ofrohen edhe grante të cilat sigurojnë zhvillim ekonomik dhe social me synim reduktimin e dallimeve ekonomike dhe sociale dhe përforcimin e marrëdhënieve bilaterale të shteteve përfituese.

    Kujtojmë që ditë më parë nga Shqipëria kryeministri Kurti lansoi idenë e tij për një marrëveshje të re bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilën e pagëzoi si “Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë”.

    Prej samitit të liderëve të rajonit që u mbajt në Tiranë, i pari i ekzekutivit theksoi se në marrëveshja duhet të përfshihen Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi e Serbia “si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta”.

    Sipas propozimit të Kurtit, SEFTA do të krijojë një zonë ekonomike të përbashkët të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në kuadër të saj do të krijohej një Këshill, Komitet i Përbashkët, Gjykatë, Sekretariat dhe autoriteti i Mbikëqyrjes.

    Ndërkaq takimet ndërmjet Kurtit e Vuçiqit pritet të vazhdojnë në fund të korrikut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!