×
  • Lajme
  • Lajme

    E shkarkuan deputetët, anëtarja e bordit të KOSTT-it paralajmëron ankesë në Gjykatën Kushtetuese

    Reporteri
    12 Gusht 2021 | 21:00

    Gjatë ditës së sotme Kuvendi i Kosovës me 68 vota për asnjë kundër dhe 10 abstenime e ka shkarkuar Xhyldane Kiçmarin nga pozita e anëtares së bordit të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A.


    Për këtë ka reaguar Kiçmari duke thënë se emërimi i saj është bërë në mënyrë të rregullt dhe është votuar nga deputetët ndërsa sot u shkarkua nga ata.

    “Është e çuditshme se si deputetët e nxjerrin ligjin për ta rregulluar një çështje të caktuar, e mandej vet deputetët e shkelin atë”, thuhet në reagimin e Kiçmarit.

    Ajo madje ka konsideruar se nuk ka konflikt interesi mes pozitës së saj në KOSTT dhe pozitës si drejtoreshë e njësisë së auditimit të brendshëm në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

    “Me rastin e emërimit të znj. Kaçimari në pozitën e anëtares së Bordit të Drejtorëve në KOSTT vlejnë kufizimet e dispozitës së sipërcituar, konkretisht “Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të. Prandaj Agjencia kundër Korrupsionit ka konstatuar se në rastin konkret mbajtja e pozitës së Drejtores së ASHNA=s, krahas ushtrimit të funksionit publik si anëtare e Bordit të Drejtorëve të KOSTT nuk është në kundërshtim me dispozitën e cituar por kufizimi ekziston për sa i përket shpërblimit me pagesë” , thuhet në një opinion të AKK-së që ka reaguar Kiçmari.

    Emërimi sipas Kiçmarit ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe se e njëjta shton se është intervistuar nga Komisioni i Kuvendit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri dhe Investime Strategjike, ku ka dalë kandidatja me numrin maksimal te pikëve.

    Ajo ishte votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës më 29 tetor të vitit të kaluar.

    Gjatë ditës së sotme, Jeta Statovci, nënkryetare e Komisionit për Ekonomi, ka prezantuar kronologjinë deri te rekomandimi i shkarkimit të Kiçmarit.

    Sipas saj, Kiçmari është e punësuar edhe në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror në pozitën drejtoreshë e njësisë së auditimit të brendshëm.

    “Unë nuk kam konflikt interesi sa i përket pozitës në Bordin e KOSTT ashtu siç u komentua sot në Kuvendin e Kosovës”, shtoi Kiçmari.

    Ajo tutje thotë edhe se shkarkimi i saj ka qenë i kurdisur.

    “Duket qartë që procesi për shkarkimin tim ka qene i kurdisur nga brenda dhe jashtë KOSTT dhe është mbështetur nga deputetët. Gjatë kohës sa isha ne Bord kam vërejtur se një numër i individëve të cilët kanë uzurpuar pozita të larta pa meritë dhe pa profesionalizëm, janë të gatshëm me bë çdo gjë për me i mbajte pozicionet e veta, mos me ju dhënë hapësirë profesionisteve të rinj dhe mos me na lënë neve si Bord me i qu proceset përpara”, thuhet në reagimin e Kiçmarit.

    Kjo e fundit paralajmëroi se do të ushtrojë  të drejtat ligjore në Gjykatën Kushtetuese pasi që konsideroi se ka ushtruar detyrën me përgjegjësi dhe pa asnjë veprim të kundërligjshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!