Kalimi i politikanëve nga një parti në tjetrën nuk është diç e re dhe për t’u habitur në skenën politike kosovare. Por ka disa politikanë që partitë i ndërrojnë disa herë.
Një prej atyre që ka bërë një gjë të tillë është edhe Naim Bazaj, i cili së pari ka qenë me AAK-në, më pas ka dalë në PDK, dhe sërish është rikthyer në AAK. Por siç duket ky nuk do të jetë destinacioni i fundit i tij.
Bazaj së fundmi është parë krahë Albin Kurtit, dhe për më tepër ka nënshkruar në Drenas peticionin e Lëvizjes Vetëvendosje “Duam zgjedhje”.
Bazaj nuk e ka mohuar kalimin në partinë e Albin Kurtit por tha se ende është pjesë e partisë së Ramush Haradinajt.
“Nuk kam kalu në Vetëvendosje po me të thanë të drejtën e pash vullnet që të ketë zgjedhje të reja. Jo vetëm unë, se besoj që dikush u pajtu me këto cka ka ndodh së fundmi në skenën politike. Për momentin vazhdoj me qenë në AAK, tash të shohim”, tha Bazaj për kallxo.com.
“Me mu mbushë mendja, vetna vetë, edhe me ma marr mendja i them po, pse jo, edhe me pa planprogramin e tyre nashta edhe unë shkoj, pse jo. Është një ndryshim që bëhet me të madhe, edhe pa ofertë shkoj tekefundit se nuk jam i interesuar veç me thanë të zë një pozicion si shumëkush, thotë se po bëhet kryeministër po shkoj. Kur e di që po bëhet mirë edhe drejtë, se me disa veprime të drejta mendoj që i ka pas bë, me disa shkarkime të bordeve, që i njohim ne secili në rrethin tonë, ne e dimë e kur i ka pas bë disa shkarkime me të thënë drejtën fortë, ia bëjsha like nëpër Facebook”, ka deklaruar ai.
Ai tha se ka shkuar vullnetarisht për ta ndëshkuar peticionin.
“Në mënyrë vullnetare kam shku aty e dinë edhe ata, i thash dojmë zgjedhje të reja”, deklaroi ai.