Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, dhe me nënshkrim të rrjeteve tjera të mediave, ka reaguar mbi zhvillimet e fundit në transmetuesin publik të Kosovës, RTK, përcjell Reporteri.net.
Përmes një reagimi, shprehin shqetësimin siç thonë, “nga kriza në rritje brenda RTK-së rreth presionit politik që po ushtrohet për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj”.
Përmendet ky fakt që u ngrit si shqetësim edhe nga ish-raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon.
“Ju shkruajmë për t’ju kujtuar se çdo ndërhyrje politike në menaxhimin e transmetuesit publik do të ishte një akt jashtëzakonisht jodemokratik dhe roli juaj si anëtarë të bordit është t’i rezistoni të gjitha presioneve të tilla”, thuhet në reagimin që i është drejtuar Bordit të RTK-së.
ECPMF kërkon të mirren parasysh dhe me kujdes vendimet e ardhshme dhe Bordi i RTK-së të sigurohet që transmetuesi publik të vazhdojë t’i shërbejë publikut dhe jo interesave politike.
“Liria e medias, në përgjithësi, dhe reformat e vazhdueshme në transmetuesin publik në veçanti, do të dëmtohen seriozisht dhe do të minohen nëse ndryshimet e motivuara politikisht në menaxhimin e transmetuesit publik janë të suksesshme”, thuhet në reagimin e tyre.
Përveç kësaj, në letër theksohet se Ahmetxhekaj është emëruar Drejtor në vitin 2022 përmes një procedure të hapur dhe i njejti ka udhëhequr reformat brenda RTK-së.
“Procesi i emërimit u konsiderua nga Bashkimi Evropian dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë si bazuar në meritë dhe u mirëprit nga organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja të pranishme në Kosovë”, thekson letra, raporton Express.
Gjithashtu përmendet edhe fakti se përkundër mungesës së një modeli të financimit dhe gjendjes së rëndë të financimit, menaxhimi i Transmetuesit Publik është përmirësuar dukshëm, gjë që potencohet edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
ECMPF thotë se një sukses i till është arritur falë punës së përbashkët mes bordit dhe Drejtorit të Përgjithshëm.
“Megjithëse transmetuesi publik RTK nuk ka një model të qëndrueshëm financimi dhe aktualisht është në pikën më të ulët të financimit në një dekadë, menaxhimi i tij financiar është përmirësuar ndjeshëm siç është theksuar në reagimin tuaj të fundit dhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Për më tepër, sipas një sondazhi, transmetuesi publik është aktualisht stacioni i dytë më i besueshëm televiziv në Kosovë. Një sukses i tillë është rezultat i punës së përbashkët të bordit të RTK-së dhe drejtorit të përgjithshëm, duke treguar se transmetuesi i Kosovës po përmbush misionin e tij për t’i shërbyer publikut”, vijon letra.
Kjo organizatë ndërkombëtare kanë bërë thirrje tek kreu i Bordit të RTK-së që të veprojnë me kujdes, që RTK t’i shërbejë publikut dhe jo intereave politike.
“Ne ju lutemi të konsideroni me kujdes vendimet tuaja të ardhshme dhe të siguroheni që transmetuesi publik të vazhdojë t’i shërbejë publikut dhe jo interesave politike. Liria e medias, në përgjithësi, dhe reformat e vazhdueshme në transmetuesin publik në veçanti, do të dëmtohen dhe minohen seriozisht nëse ndryshimet e motivuara politikisht në menaxhimin e transmetuesit publik janë të suksesshme”, potencohet në letër.
Në fund thuhet se shkarkimi i Drejtorëve nga arsye të motivuara politike e kërcënon lirinë e medias, si vlerë e Këshillit të Evropës, BE-së dhe EBU-së.
“Ne kemi parë nga monitorimi ynë i kërcënimeve në të gjithë Evropën se sa e lehtë është për qeveritë të minojnë pavarësinë e transmetuesve publikë dhe sa serioze mund të jenë pasojat e një politizimi të tillë për shoqërinë në tërësi. Shkarkimi i drejtorëve të transmetuesit publik për arsye të motivuara politikisht kërcënon lirinë e medias, që janë vlera themelore të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe Unionit Evropian të Transmetuesve”, përdundon letra.
Thirrja është nënshkruar nga:
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit
Federata Evropiane e Gazetarëve
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve
NENI 19
Indeksi mbi censurën
Reporterët pa Kufij
Pena Ndërkombëtare