Edhe pesë ditë kanë mbetur deri në takimin e Ohrit të 18 marsit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ambasadorë në Kosovë dhe diplomatë perëndimorë kanë bërë thirrje të nënshkruhet marrëveshja për planin e zbatimit të propozimit evropian, shkruan Reporteri.net.
“Mos e humbni autobusin”
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde i dha përkrahje të plotë ndërmjetësuesit të dialogut Miroslav Lajçak, në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, duke u bërë thirrje palëve që mos ta humbasin “autobusin”.
“Marrëveshja mund të arrihet. Kosova do të përfitojë shumë. Kosovës i duhet të zbatojë obligimet e saj dhe të ofrojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe menjëherë. Apeli im për Kosovën dhe për Serbinë, është për bisedimet e ardhshme në Ohër: Mos e humbni autobusin”, shkroi në Twitter ambasadori gjerman, duke vazhduar argumentimin, se marrëveshja do të përshpejtonte integrimin euro-atlantik dhe është “shans historik për rrugën e normalizimit të plotë dhe njohjen reciproke”.
Edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, shpreson për një marrëveshje mes Kurtit dhe Vuçiqit në takimin e Ohrit që mbahet me 18 mars nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Von Cramon që e shpërndau në twitter shkrimin e ambasadorit gjerman në Prishtinë, tha se “arritja e një marrëveshjeje do të ishte një hap i madh drejt integrimit evropian për të dy vendet.
“Shpresoj shumë që do të shohim të dyja nënshkrimet në marrëveshje në fund të javës në Ohër. Do të ishte një hap i madh drejt integrimit evropian për të dy vendet,” shkroi Viola Von Cramon.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 18 mars në Ohër, pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel ku u dakorduan për Planin Evropian, por nuk e nënshkruan atë. /Reporteri.net/.