Edhe dy shpërthime të tjera janë dëgjuar në veri, njëri rreth orës 20:45 ndërsa tjetri në 21:20.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.
I njëjti tha se shpërthimet kanë ndodhur në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe te “Tre Rrokaqiejt”, dhe dyshohet se janë kryer me shok-bomba.
“Policia e Kosovës, njësitet patrolluese policore të rendit publik, rreth orës 20:45 dhe 21:20, kanë njoftuar se në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe te ‘Tre rrokaqiejt’- Mitrovicë Veri, janë dëgjuar dy shpërthime (dyshohet të jenë shok-bomba)”, konfirmoi Kelani.
“Bazuar në informacionet e deritanishme nuk është raportuar për ndonjë lëndim apo dëm material”, tha tutje ai.
Raportohet se një mjet shpërthyes është hedhur drejt gazetarëve në veri
Shpërthimi në Lagjen e Boshnjakëve është bërë në afërsi të gazetarëve, e që prezentë ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Shpërthimi ishte i fortë. Nuk kemi arritur të shohim ata që e gjuajtën, por në momentin e shpërthimit ishin afër edhe Policia. Nga ajo çka mund të shihnin ata ishin diku 5-6 persona të organizuar të cilët e hodhën mjetin e fortë shpërthyes”, ka thënë gazetari i televizionit TV1 që ishte pjesë e ekipit.
Ndryshe, sot gjatë ditës u raportua edhe për një shpërthim tjetër te “Kroi i Vitakut”.
Sipas Policisë, dyshohet se edhe ky shpërthim të jetë kryer nga shok-bombë. Të njëjtit kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se nuk pati lëndime.
“Njësitet relevante policore kanë dalur në atë lokacion, nga ku dyshohet se është ndëgjuar shpërthimi, i cili dyshohet të jet shkaktuar nga ndonje mjet shpërthyes (shok bombë) por që deri më tani nuk është raportuar për ndonjë lëndim apo dëmtim”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Shpërthimi dyshohet të ketë ndodhur orëve të pasdites.
“Policia e Kosovës është duke vazhduar me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë. /Reporteri.net/.