Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martën ka nisur rigjykimi i tretë për rastin e vrasjes së N.S., në qendër të Prishtinës në nëntor të vitit 2017. Të akuzuarit Arlind Ahmeti dhe Agron Vllasaliu u deklaruan të pafajshëm për vrasje të rëndë.
I akuzuari Ahmeti e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, e cila iu aprovua nga trupi gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, prokurori Bashkim Zeqaj, mbrojtësi i palës së dëmtuar- avokati Fanol Krasniqi, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Asdren Hoxha, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Vllasaliu, avokati Florent Latifaj, deklaruan se mbesin pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin paraprak.
Po ashtu, në këtë seancë në cilësinë e të dëmtuarve u dëgjuan L.K., R.K., F.F., dhe B.S., të cilët deklaruan se mbesin pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimin e kaluar.
Ndërsa, sa i përket dëshmitarit M.K., Gjykata me pëlqimin e palëve mori aktvendim me të cilin lexoi deklaratën e tij të dhënë në Polici.
Mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Krasniqi shtoi se në këtë shqyrtim propozon dëgjimin e ekspertit të balistikës, Labinot Mazreku, si dhe shikimin e video-incizimeve të vendit të ngjarjes.
Për dëgjimin e ekspertit Mazreku, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e avokatit Krasniqi.
Andaj, në mungesë të kushteve për vazhdimin e seancës, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi ndërpreu seancën e sotme dhe të radhës e caktoi për një datë tjetër.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim. Kurse, Agron Vllasaliu gjendej në arrati.
Por, Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, kishte vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit 2019, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Kurse, më 13 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë sërish e kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti, duke i dënuar me nga 21 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të tani të ndjerit N.S, në vitin 2017 në Prishtinë.
Ndërsa, Gjykata e Apelit më 23 mars 2023, me rastin e ankesave të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Nexhmedin Sejdiu, mbrojtësve të të akuzuarit Arlind Ahmeti, avokatit Asdren Hoxha dhe avokatit Fitim Malokaj, si dhe mbrojtësit të të akuzuarit Agron Vllasaliu, avokatit Florent Latifaj, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Më pas, Themelorja më 11 tetor 2024 pasi ua ricilësoi veprën penale në “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, Ahmetin dhe Vllasaliun i dënoi me nga 16 vjet burgim. Por, rasti është kthyer sërish në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 korrik 2021, Agron Vllasaliu akuzohet se më 24 nëntor 2017, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.S dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.