Pas dorëheqjes së kryetarit të PDK-së në Podujevë, Naim Fetahu, ka ardhur edhe një dorëheqje tjetër nga strukturat e kësaj partie.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së në Podujevë, Bashkim Mustafa, ka dhënë dorëheqje nga të gjithë pozitat brenda kësaj partie.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Mustafa, në një shkrim të tij në Facebook.
Ai është familjar i ish-deputetit të PDK-së, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi.
“Të nderuar antarë dhe struktura të Partisë Demokratike dega në Podujevë. Pas zhvillimeve të fundit të dorëheqjes së Kryetarit të degës z.Naim Fetahu, unë Bashkim Mustafa jap dorëheqje nga gjitha pozitat brenda Partisë Demokratike, dega në Podujevë edhe si anëtar i Kryesis së degës në Podujevë”, ka shkruar Mustafa.
Kujtojmë, se ish kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu gjatë ditës njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga strukturat e PDK-së në këtë komunë.
Për këtë dorëheqje reagoi edhe kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili tha se Fetahu ishte kandidati më i mirë për Podujevën dhe se llapjanët do e kuptojnë shpejtë këtë.
Hoxhaj tutje shtoi se do të angazhohen për ta kthyer PDK-në si forcën e parë politike në Podujevë e Kosovë. /Reporteri.net