Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sërish ka zgjedhur të mos thotë as edhe një fjalë lidhur me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Edhe gjatë ditës së sotme, pas prezantimit të strategjisë së Kosovës për Qeverisje Elektronike 2023-2027, Kryeministri Kurti ka zgjedhur të mos deklarohet lidhur me këtë çështje.
Arsyetimi i kreut të Qeverisë ka qenë se i duhet të shkoj seancën e Kuvendit të Kosovës.
“Më falni, por më duhet me shku direkt në seancë”, tha Kurti para gazetarëve.
Por, ndryshe nga Kurti, presidentja e vendit ka thyer heshtjen në raport me gjykimin e ish-krerëve në Hagë.
“Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë. Dhe se në fund të këtij procesi do të konfirmohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës- UÇK-ja ka bërë luftë çlirimtare për mbrojtjen e njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit”, ka thënë Presidentja Osmani në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”.
Të hënën e 3 prillit ka nisur gjykimi i ish-krerëve në Hagë, ku për tre ditë rrjesht Prokuroria dhe Mbrojtja kanë thënë fjalët e tyre hyrëse, ndërsa me 11 prill nis dëgjimi i dëshmitarëve./Reporteri.net/