×
  • Lajme
  • Lajme

    “Edhe vdekja është bërë me pare”: Gjilanasi thotë se u dënua 50 euro se nuk deklaroi vdekjen e nënës, flet Komuna

    Reporteri
    04 Shtator 2019 | 13:32

    Një gjilanas është befasuar kur i është kumtuar lajmi se është dënuar 50 euro sepse nuk kishte deklaruar me kohë vdekjen e nënës.


    Kjo gjë nuk i ka pëlqyer, duke e quajtur marri një vendim të tillë dhe duke shtuar se “edhe vdekja është bërë me pare”.

    Sipas Fatlum Demirit, Komuna i kishte thënë se duhet të paguante 50 euro gjobë, në ditën kur ai kishte shkuar për të marrë një çertifikatë vdekjeje të nënës. Arsyetimi kishte qenë, sipas tij, se nuk e ka deklaruar me kohë.

    “Edhe vdekja është bërë me pare! Ata që më njohin, e dinë që kurrë nuk flas as për e as kundër institucioneve tona, qofshin ato lokale apo qendrore. Por sot isha dëshmitar i një marrije të madhe në Komunën tonë të dashur, Gjilan. Pasi që isha për të lajmëruar vdekjen e nënës dhe për ta marrë një certifikatë të vdekjes, me thanë që duhet paguar 50 euro gjobë! Imagjinone o popull, 50 euro gjobë sepse nëna ka vdekë (ndërsa komuna duhet me të thanë vërtetë që ka vdekë nëna). Arsyetimi i tyre ishte: “Mos lajmërimi me kohë i vdekjes, se qashtu thotë ligji qe 5 vjet (edhe pse s’u zbatu kurrë deri para pak muajsh)” – ishin fjalët e vet zyrtarëve komunalë” ka thënë Demiri.

    Këtë gjë, ai e ka quajtur zhvatje, duke pyetur se deri kur do të ndodhë kështu me “shkrry popullin edhe pas vdekjes?!”.

    “Na e keni vjedhë ardhmërinë e femijëve tanë. Na e keni humb shpresën, e tash edhe vdekjen po na shtini me pagu. Marre!!! Marreee!!! Marreee!!!”, ka përfunduar reagimin.

    Ndërkaq, reagimi i Komunës ka ardhur menjëherë. Ata nuk e kanë mohuar se personi në fjalë është gjobitur, mirëpo kanë theksuar se “vetëm është respektuar ligji”.

    “Çështja e aplikimit të gjobave për rastet e regjistrimit me vonesë të lindjeve dhe vdekjeve është e përcaktuar me Ligj, Ligji për Gjendjen Civile , Nr. 04/L-003 neni 63, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Drejtoria e Administratës së Përgjithshme është e obliguar t’i zbatojë ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi nga fushë veprimtaria e saj në raport me qytetarët dhe institucionet e tjera. Zbatimi i ligjit nga ana e institucionit në fjalë nuk paraqet veprim të pazakontë dhe lusim të gjitha mediat dhe portalet që në rastet e tilla, të dëgjohet jo vetëm zëri i qytetarit, por paraprakisht të merren edhe informatat nga ana e institucionit, e në këtë rast të Drejtorisë në fjalë”, thonë Komuna e Gjilanit./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!