Në komunat me shumicë serbe Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, është shënuar një numër i madh i rasteve të reja me COVID-19, gjatë 24 orëve të fundit.
Gazeta Online “Reporteri.net”, mëson se vetëm gjatë ditës së sotme janë regjistruar 54 të infektuar në këto katër komuna veriore.
Burime të Reporterit brenda Policisë së Kosovës në veri, kanë bërë të ditur se shtabi emergjent paralel do të merret me mbikëqyrjen e masave së bashku me policinë.
Selia e krizave të katër komunave në veri të Kosovës, ka marrë vendim që nga sonte të karantinohen këto komuna dhe të vendoset kufizimi i lëvizjes për qytetarë nga ora 21:00 deri në 5 të mëngjesit deri në javën e ardhshme, raportojnë mediet serbe.
Ky njoftim u dha nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiç në emër të anëtarëve të Shtabit të Krizave në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
Në Serbi po ashtu ka një numër të madh të rasteve të reja.
Mediet serbe raportojnë se vetëm në Novi Pazar brenda dy ditëve janë konfirmuar 500 raste të reja, duke e konsideruar kështu si Wuhanin e Evropës.
Gjendja nuk është hiç më e mirë as në Tutin e Sjenic dhe e gjithë kjo gjendje dyshohet se erdhi si pasojë e zgjedhjeve presidenciale në Serbi.
Më 18 dhe 19 qershor, tre mitingje të mëdha parazgjedhore u mbajtën në Novi Pazar. Dita e zgjedhjeve ishte caktuar të dielën në vijim, më 21 qershor.
Pas zgjedhjeve, spitali filloi të përmbytet me njerëz që ankohen për probleme të frymëmarrjes dhe ethe. Numri i personave që kërkonin ndihmë mjekësore ishte aq i madh, sa që pacientët po strehoheshin nëpër korridore.
Në medie të ndryshme janë publikuar fotografi nga Spitali i Përgjithshëm i Novi Pazarit. /Reporteri.net/