Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, ka mbërritur në kryeministri për të takuar shefin e ekzekutivit shqiptar Edi Ramën, takim me të cilin mbyll ditën e dytë të vizitës në Shqipëri.
Takimi mes Ramës dhe Osmanit është i mbyllur, ndërsa nuk do të ketë as konferencë për media.
Osmani dhe Rama në vazhdimësi nuk janë pajtuar për disa çështje, përfshirë edhe mini-Shengenin ballkanik, ku presidentja në detyrë edhe dje, ndryshe nga kryeministri, u shpreh se ky projekt është i dëmshëm për Kosovën dhe Shqipërinë.
Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme u.d e presidentes, Vjosa Osmani ka zhvilluar takim me homologun e saj nga Shqipëria, Ilir Meta dhe kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.
Në këtë konferencë, Osmani përveç se e shfrytëzoi të drejtonte kritike të ashpra ndaj ish-shefit të saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ajo gjithashtu ka bërë të ditur se do të tentojë ta bindë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama të tërhiqet nga mini-schengeni.
Ajo është shprehur se do t’ia shpjegojë Ramës se si mini-Schengeni nuk është projekt i mirë dhe se çfarë konsekuenca ka. Megjithatë nuk dihet ende nëse kjo ka qenë tema e vetme e mos-pajtimeve midis Osmanit e Ramës apo ka pasur edhe të tjera.
Osmani ka marrë pozitën e u.d të presidentës së Kosovës pas dorëheqjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në ditën kur u bë e ditur se atij iu është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale në Hagë.