×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Brezovica nga ky vit do të jetë nën administrimin e AKP-së

    Reporteri
    02 Janar 2021 | 9:46

    Një nga qendrat turistike më të mëdha në Kosovë, Brezovica, që nga fillimi i vitit 2021 do të jetë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.


    Këtë e ka bërë të ditur Valon Tolaj, drejtor menaxhues në AKP- për Ekonomia Online.

    Tolaj ka thënë se ky vendim është marrë javë më parë.

    “Ka vendim nga AKP-ja, Brezovica do të jetë nën administrimin direkt të AKP-së, nga ky vit”, është shprehur ai. E përveç menaxhimit të Brezovicës, Tolaj shpreson që këtë vit të fillojë procesi i privatizimit i cili ishte ndërprerë me vendim të Qeverisë.

    Udhëheqësi i AKP-së, thotë se ky institucion ka dhënë kontributin e vet për Strategjinë e re që është duke u hartuar, dhe tashmë pritet vendimi i Qeverisë.

    “Shpresojmë ta mbërrijmë ta kemi të miratuar atë strategji e cila do ti jap dimension kohorë procesit të privatizimit, dinamikë, çka duhet të ndodh në mënyrë që të finalizohet procesi i privatizimit. Është vendosur një kornizë se çfarë do të ndodhë me AKP-në, në një periudhë të caktuar prej 3-5 vjet, të paktën kështu parashikohet në draft strategjinë”, është shprehur Tolaj.

    Ai ka bërë të ditur se janë edhe 7 ndërmarrje në procesin e privatizimit, ndërsa shtojë se pengesë në këtë proces kanë qenë edhe rastet e shumta gjyqësore. Sipas tij, janë 25 mijë kontekste gjyqësore që lidhen me privatizimin.

    “Janë 25 mijë kontekste gjyqësore nëpër gjykata që ndërlidhen me çështjen e privatizimit, është numër mjaftë i madh, është sfidë edhe për Dhomën e Posaçme që t’i trajtojë 23 mijë kontekste që janë aty dhe për afër 3000 që janë në Gjykata të rregullta, Gjykata Themelore”, ka thënë Tolaj.

    Ai ka njoftuar se AKP-ja, është duke vazhduar me pagesat e kreditorëve si dhe atë të 20 përqindëshit.

    Tolaj ka thënë se viti 2020 ka qenë sfidues për ta, për shkak të pandemisë dhe kushteve jo të duhura që kanë në ambientet e tyre për respektim të masave të nxjerra nga institucionet përkatëse. Po ashtu ai tha se puna e hetimore për procesin e privatizimit nga Komisioni i Kuvendit, ka qenë sfidë tjetër për ta si institucion, pasi siç shprehet ai është dashur numër i madh i dokumenteve që të kopjohet pas kërkesave që kanë ardhur nga Komisioni.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!