Edhe papunësi, edhe krizë për punëtorë

“Maxi – Supermarket” në Prishtinë është një prej shumë bizneseve në Kosovë që kanë rënë në hall me gjetjen e punëtorëve.

Vetëm në një pikë në kryeqytet, ky biznes ka mangët tre punëtorë në pozitën e shitësit, thotë për Radion Evropa e Lirë menaxherja Vilda Pajaziti.

“Zakonisht në konkurse aplikojnë shumë, por pastaj nuk vijnë për arsye të ndryshme. Për shembull, nuk u përshtatet orari i punës, kanë probleme me udhëtim e të tjera”, thotë ajo.

Vilda, e cila qe 18 vjet punon në zinxhirin e dyqaneve ushqimore “Maxi – Supermarket”, thotë se problemi i mungesës së punëtorëve është shfaqur që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, në pranverë të vitit të kaluar.

“Të rinjtë, siç duket, nuk duan të punojnë”, thotë ajo.

Orari i punës në kompaninë ku ajo është menaxhere, është 8 orë dhe 30 minuta pauza e drekës.

Orari është me ndërrime paradite dhe pasdite. Vlera e pagës, ndërkaq, nuk bëhet e ditur.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020, ka qenë 380 euro.

Kompanitë mund të përballen me mungesë të punëtorëve, por papunësia është një nga problemet më të mëdha që e përcjell shoqërinë kosovare me vite.

Shkalla e papunësisë në Kosovë këtë vit shënon afro 26 për qind. Krahasuar me vitin e kaluar, ka rritje për 0.8 për qind.

Pavarësisht kësaj, në Agjencinë e Kosovës për Punësim bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se numri i përgjithshëm i punëkërkuesve të regjistruar në këtë zyrë është 120 mijë.

Drejtori i agjencisë, Drin Haraqia, thotë se vetëm gjatë këtij viti, 12,000 persona janë regjistruar si të papunë.

Ai thotë se ka ankesa edhe nga punëkërkuesit se nuk gjejnë punë, por edhe nga punëdhënësit se nuk gjejnë punëtorë.

“Kushtet e punës dhe paga janë dy faktorë esencialë që nuk ka fuqi punëtore dhe bizneset e kanë të vështirë të sigurojnë punëtorë në bazë të profileve të kërkuara”, thotë Haraqia.

Krasniqi: Mungesë e punëtorëve të kualifikuar

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se me problemin e gjetjes së punëtorëve përballen më së shumti kompanitë ndërtimore dhe ato të tregtisë.

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skender Krasniqi, thotë se në tregun e punës ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar.

“Shkollat tona nuk prodhojnë kuadro, që pas kryerjes së shkollës së mesme, ata nxënës të futen në tregun e punës. Bizneset po detyrohen vetë t’i trajnojnë punëtorët. Ka ankesa nga bizneset se nuk arrijnë të gjejnë punëtorë të kualifikuar”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, punëtorët shpesh nuk e pranojnë vendin e punës, për shkak të mungesës së sigurimit shëndetësor. Këtë gjë, thotë Krasniqi, duhet ta rregullojë shteti.

Punëkërkuesit po trajnohen në profile të caktuara

Punëkërkuesit që regjistrohen si të papunë, trajnohen për profesione të ndryshme në qendrat e Agjencisë së Punësimit të Kosovës, që ndodhen në pothuajse të gjitha komunat.

Drin Haraqia tregon se kjo agjenci ofron trajnime për mbi 30 profile të profesioneve të ndryshme, përfshirë: moler, murator, suvatues, kuzhinier, saldim, administrim biznesi, furrtar e të tjera.

“Vetëm gjatë këtij viti, mbi 3 mijë persona janë trajnuar në profesione të ndryshme që i ofron agjencia. Prej tyre, 900 janë gra, që kanë marrë aftësim profesional”, thotë Haraqia.

Sipas tij, nga 12 mijë persona të regjistruar këtë vit si të papunë, 6 mijë kanë përfituar nga masat aktive të tregut të punës dhe disa kanë përfituar punësim të rregullt.

Azemi: Po shkelen të drejtat e punëtorëve

Sektori privat llogaritet si punëdhënësi më i madh në Kosovë, me mbi 220 mijë punëtorë.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, thotë për Radion Evropa e Lirë se për situatën e krijuar, në lidhje me mungesën e punëtorëve, sindikata ka alarmuar vite më parë.

Sipas tij, janë kushtet jo të mira të punës në sektorin privat që e kanë sjellë atë në këtë gjendje.

“Me vite të tëra kemi tërhequr vërejtjen se sektori privat nuk po trajtohet as për së afërmi sipas Ligjit të punës. Në mungesë të respektimit të të drejtave, shumë punëtorë kanë hequr dorë nga puna”, thotë Azemi.

Në shumë raste, sipas tij, punëdhënësit i kanë paguar punëtorët me pagë minimale.

Në Kosovë, paga minimale është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Azemi thotë se punëtorët në sektorin privat ankohen edhe për orar të stërzgjatur të punës.

Në anketën e fundit të ASK-së, të publikuar në tetor të këtij viti, të intervistuarit që punojnë në sektorin publik, kanë thënë se punojnë deri në 39 orë në javë, ndërsa ata në privat deri në 43 orë.

Me Ligjin e Punës, orari i plotë është dyzet orë në javë.

Azemi: Të rinjtë po ikin nga Kosova

Paga e ulët dhe kushtet jo të mira të punës, shton Azemi, kanë bërë që punëtorët – kryesisht të rinjtë – të largohen nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2020, nga Kosova janë larguar 8,724 banorë. Disa prej tyre kanë ikur për shkak të gjetjes së një vendi të punës apo për studime afatgjata.

Përveçse në vendet e Bashkimit Evropian, një numër i kosovarëve ka emigruar edhe në vende të tjera, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqi e Kanada.