Partitë politike fare nuk po e “çajnë” kokën për rrezikun nga pandemia Covid-19, duke thyer masat që vet i kanë vendosur.
Ndërsa dasmat janë ndalur qe një kohë të gjatë dhe dyqanet mbyllen në ora 20:00 në Prishtinë kur edhe fillon ora policore, çka dënohen nëse nuk respektojnë vendimet, në anën tjetër ka ditë që politikanët mbajnë tubime në sallat e restauranteve ku janë ndaluar të mbahen dasmat.
Për tubimet e partive ku po mblidhen qindra persona, kanë reaguar nga komuniteti i biznesit duke thënë se ata që i vendosën masat po i thyejnë ato, ndërsa po i ndëshkojnë qytetarët, por jo edhe vetën, shkruan Reporteri.net.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj tubimeve elektorale që po organizohen në hapësira të mbyllura nga subjektet politike, ku me pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve po shkelen masat anti-Covid.
Rukiqi e quan të pakuptimtë ndalimin e ahengjeve dhe ngjarjeve të tjera, derisa nëpër restorante mblidhen dhjetëra persona.
“Tubimet e fundit elektorale, me dhjetëra persona ne hapësira te mbyllura, i bëjnë të pavlera, të gjitha masat kufizuese, për parandalimin e pandemisë. Si mund të arsyetohet, tash e tutje, ndalesa për organizimin e ahengjeve dhe ngjarjeve? Si mund të arsyetohet kufizimi i orarit të punës?? Politikanët edhe qytetarët e tjerë janë të barabartë para ligjit. Hipokrizi e llojit të vet është që të njëjtit që premtojnë sundim të ligjit, të vazhdojnë natën dhe ditën të shkelin ligjin”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.
Edhe kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka reaguar i cili ka thënë se për shkelje të masave anti-Covid deri tash janë shqiptuar 5000 dënime për gastronomët e asnjë për politikanët. Këtë e ka cilësuar si veprim me standarde të dyfishta.
Ndërsa, Adonis Tahiri, drejtor i Inspeksionit në Prishtinë, ka thënë se ligji dhe masat anti-Covid vlejnë për të gjithë, andaj do të shqiptohen gjoba prej 2,000 euro për secilin subjekt politik që do të mbajë tubim elektoral në Prishtinë.
Tahiri, përmes një postimi në Facebook, thotë se s’do të lejohet që inspektorët dhe Policia të sfidohen në këtë formë nga subjektet politike. /Reporteri.net/.