×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Kryetari i Sindikatës së Telekomit flet pas emërimit të bordit nga Qeveria Hoti

    Reporteri
    24 Korrik 2020 | 22:37

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka komentuar emërimin e bordit të përkohshëm nga Qeveria e Kosovës në krye me kryeminsitrin, Avdullah Hoti.


    Balaj ka thënë se emrat e emëruar nga Hoti si pjesë e bordit të përkohshëm të Telekomit, janë emra të panjohur për Sindikatën e Puntorëve të Telekomit.

    “U informova nga mediat se emërimet janë bërë, megjithatë ne nuk i njohim se kush janë këta persona”, ka thënë Balaj.

    Tutje, ai tha se pret që të takohen me ta së shpejti në mënyrë që t’i shprehin qëndrimet e sindikatës.

    “I presim në takime dhe ne do t’i shprehim qëndrimet tona si gjithëherë. Si figura kur t’i shoh, ka mundësi që i njoh, mirëpo si emra për mua janë të panjohur”, ka thënë Balaj për Express.

    Qeveria Hoti ka emëruar kryesues të bordit, Mehmet Berishën, ndërsa anëtarët e bordit janë: Kushtrim Krasniqi, Teki Shala dhe Blerim Shehu.

    Ky emërim erdhi pas dorëheqjes së bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje. Dorëheqja e tyre erdhi si shenjë proteste rreth zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në Telekom.

    Kujtojmë se përmbaruesi privat, i ka bllokuar xhirollogaritë e Telekomit, për shkak se kjo ndërmarrje ka detyrime ndaj kompanisë Z-Mobile të Blerim Devollit.

    Më poshtë gjeni njoftimin e plotë nga zyra e kryeministrit të Kosovës:

    Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen korresponduese (mbledhje elektronike), të 16-ën me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe ka miratuar vendimin për emërimin e Bordit të përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës Sh. A”, i cili do të përbëhet nga:

    Mehmet Berisha, kryesues
    Kushtrim Krasniqi, anëtar
    Teki Shala, anëtar
    Blerim Shehu, anëtar

    Emërimi i këtij bordi është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndërmarrjet publike dhe pas dorëheqjes së Bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje. Ky bord i përkohshëm do të shërbejë në cilësi të Bordit të drejtorëve derisa të zgjedhet Bordi i përhershëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!