×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare: Situata në veri mund të ndikojë që kompanitë gjermane të heqin dorë nga investimet në Kosovë

    Reporteri
    15 Qershor 2023 | 10:38

    Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV-OEGJK), ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, dhe sipas tyre kjo situatë ndikon në zhvillimet politike në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Sipas deklaratës, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, po ndjek me shqetësim të madh zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, si dhe zhvillimet e fundit politike në vend dhe se anëtarët e Odes janë të shqetësuar se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese.

    Sipas tyre, kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës.

    “Lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes”, thuhet në deklaratë.

    Tutje Oda ju ka bërë thirrje vendimmarrësve politikë në Kosovë që të ndërmarrin hapa për rivendosjen e një mjedisi të qëndrueshëm politik.

    “Lehtësimi i tensioneve dhe nxitja e zhvillimit të një mjedisi të qëndrueshëm janë faktorë të rëndësishëm për krijimin e një klime të mirë të të bërit biznes. U bëjmë thirrje vendimmarrësve politikë në Kosovë që të ndërmarrin hapa për rivendosjen e një mjedisi të qëndrueshëm politik”, thuhet tutje në deklaratë.

    OEGJK është përfaqësuese e 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, që punojnë ngushtë me kompani gjermane, e cila në baza ditore dëgjon shqetësimet në rritje nga ankesat e pranuara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!