“E kam menduar [dorëheqjen] dhe jam jashtëzakonisht i thyer pas rastit” – ishin fjalët e Ahmet Ismailit pak ditë pasi ishte kryer vjedhja 2 milionë Eurove në Thesarin e Shtetit. Atëkohë, tetorin e vitit 2020, Ismaili ishte Drejtor i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës. Jo vetëm që nuk kishte dhënë dorëheqje, por gati tre vite pas, Ahmet Ismaili ka marrë një detyre të re nga pushteti. Mbrëmjen e së enjten, ai është votuar në Kuvend për pozitën e Guvernatorit të BQK.
Me 56 vota për, të enjten, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, e kanë zgjedhur Ahmet Ismailin për Guvernator të ri të Bankës Qendrore të Kosovës.
Ismaili, ka qenë në krye të Thesarit të Shtetit, në kohen kur – para më pak se tre vitesh – kishte ndodhur vjedhja e madhe e 2 milionë Eurove, nga një ish-zyrtar i saj, Labinot Gruda – i dënuar tashmë me 11 vite burgim për rastin.
Atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje, që mbrëmë e votoi Ismailin për Guvernator, kërkonin përgjegjësi institucionale e politike për krimin, që i kishin vënë edhe prapashtesën “i organizuar”. Ndërkohë që vetë Ismaili e konsideronte rastin si “veprim krejtësisht individual”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Pushteti i Kurtit, para se “ta rehatojnë” me pozitën e Guvernatorit të BQK’së, që ka mandat 5 vjeçar, Ahmet Ismailin e kishte “akomoduar” si drejtor menaxhues të Fondit për Efiçiencë të Energjisë, pasi i ishe kryer mandati i drejtorit në Thesarin e Shtetit ku ishin vjedhur “me një click” mbi 2 milionë Euro gjatë drejtimit të tij. Më herët, i njëjti ishte anëtar i Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Guvernatori i ri, lidhje me politikën ka patur pothuajse gjithmonë. Nëse jo nga aktivizimi i tij, të pakten nga ai familjar, pashmangshëm, që po. Ai është nipi i Ismet Beqirit, ish-kryetarit të Prishtinës nga radhët e LDK’së, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ahmet Ismaili ka lindur në Podujevë, kurse studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në Drejtimin Banka dhe Financa të Fakultetit Ekonomik. Përtej studimeve universitare, sipas biografisë të paraqitur nga vetë ai, Ismaili ka marrë edhe titullin doktor i shkencave ekonomike në drejtimin Banka dhe Financa, nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës.
Deri në zgjedhjen e Ismailit, institucionin më të rëndësishëm financiar në vend e ka udhëhequr Fehmi Mehmeti, kurse aktualisht BQK drejtohet nga ushtruesi i detyrës së Guvernatorit, Bashkim Nurboja – ish-kandidati i LVV’së për deputet -, i cili paralelisht është edhe kryesues i Bordit të BQK-së.
Pas votimit në Kuvend, për të nisur udhëheqjen e BQK’së, Ahmet Ismailit i duhet të pres dekretimin nga Presidentja e vendit.