×
  • Lajme
  • Ekonomi

    PDK tregon nëse do ta votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

    Reporteri
    05 Tetor 2020 | 19:36

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të enjten të mbahet seanca e radhës plenare, ku një ndër pikat e rendit të ditës pritet të jetë paraqitja për herë të gjashtë për votim Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.


    Kështu Qeveria do të provojë fatin të enjten që të votohet ligji i cili mundëson tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka kontaktuar me Partinë Demokratike të Kosovës për t’i pyetur nëse do t’i japin përkrahje këtij ligji.

    Bedri Hamza, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së ka deklaruar se ligji i propozuar nga partia e tij është më i favorshmi për qytetarët.

    “Le të votohet ligji i jonë nëse nuk mund ta votojnë ligjin e tyre, i joni është më i hershëm, më gjithëpërfshirës për të gjitha kategoritë. Edhe për tërheqjen e mjeteve të Trustit kemi dhënë inciativë ligjore”, ka thënë Hamza për Reporteri.net.

    I pyetur nëse është kontaktuar nga LDK-ja, parti e cila udhëheq me qeverinë, Hamza ka thënë se nuk është kontaktuar nga partia e Isa Mustafës.

    “Nëse dëshiron me qenë serioz duhet me të thirrë me kohë, buxheti është në procedurë është dashtë me të thirrë moti”, ka thënë Hamza.

    Ndryshe, LDK sonte pasdite mbajti mbledhjen e Kryesisë së partisë ku Reporteri.net mëson nga burimet se aty është thënë që partia e Isa Mustafës ka marrë zotim nga partnerët e koalicionit qeverisës se do ta votojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike të gjithë deputetët e tyre.

    Kujtojmë se PDK me 28 shtator ka iniciuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, i cili u mundëson qytetarëve të Kosovës tërheqjen e një pjese të kursimeve të tyre nga trusti.

    PDK ka thënë se pas situatës së rënduar ekonomike do të deponojnë shumë shpejt për votim në Kuvendin e Kosovës, plotësim-ndryshimin e ligjit i cili do t’u mundësojë qytetarëve të tërheqin mjetet e tyre nga Trusti.

    Kjo parti i ka ftuar të gjitha partitë politike në vend që t’i japin mbështetje kësaj iniciative e cila sipas tyre, është ndihmë e drejtpërdrejt për familjet kosovare. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!