×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Për shkak të pandemisë, ATK-ja tregon se kanë rënë të hyrat

    Reporteri
    07 Gusht 2020 | 20:06

    Për 6 muajt e parë të këtij viti, Administrata Tatimore e Kosovës ka mbledhur 23.5 milionë më pak të hyra sesa në vitin e kaluar.


    Ndonëse në dy-tre muajt e parë të këtij viti performanca e të hyrave po shkonte më mirë seç ishte planifikuar, rrjedhën e ndryshoi situata me pandeminë COVID-19.

    Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se ndikimi i pandemisë është ndier kryesisht në muajt mars e prill, ndërsa që nga maji gjendja ka filluar të kthehet në normalitet sa u përket të hyrave, raporton KOHA.

    Sipas drejtorit të ATK-së, përveç rënies së të hyrave, pandemia ka ndikuar edhe në rënien e qarkullimit të bizneseve dhe nga muaji mars deri në qershor qarkullimi i bizneseve ka rënë për 833 milionë euro që në përqindje i bie 22 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Megjithëse ATK-ja nuk e ka një sistem që do të mund të pasqyronte saktë sesa biznese kanë falimentuar e sa persona kanë mbetur pa punë, drejtori tha se gastronomia, sektori i transportit e ai i ndërtimtarisë janë goditur më së shumti nga gjendja me koronavirus.

    Situatën me pandeminë e kanë keqpërdorur edhe disa nga bizneset, të cilat me qëllim të përfitimit i rritën edhe çmimet. Mirëpo, për abuzuesit me çmime Administrata Tatimore njoftoi se ka shqiptuar edhe gjoba.

    Ndërsa sa i përket inkasimit të borxheve, ATK-ja ka mbledhur 36.8 milionë euro, 22.6 për qind më pak se vitin e kaluar. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!