×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Projektligji për rimëkëmbje ekonomike sot në votim për herë të gjashtë në Kuvend

    Reporteri
    08 Tetor 2020 | 7:59

    Sot pritet të votohet për të gjashtën herë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili do t’u mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.


    Votimi i këtij projektligji ka dështuar për të satën herë, meqenëse partitë opozitare nuk po e përkrahin këtë ide.

    Partitë opozitare, PDK-ja dhe VV-ja, kanë deklaruar se do të votojnë kundër.

    Bedri Hamza, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së ka deklaruar për Reporteri.net se ligji i propozuar nga partia e tij është më i favorshmi për qytetarët.

    “Le të votohet ligji i jonë nëse nuk mund ta votojnë ligjin e tyre, i joni është më i hershëm, më gjithëpërfshirës për të gjitha kategoritë. Edhe për tërheqjen e mjeteve të Trustit kemi dhënë iniciativë ligjore”, ka thënë Hamza për Reporteri.net.

    I pyetur nëse është kontaktuar nga LDK-ja, parti e cila udhëheq me qeverinë, Hamza ka thënë se nuk është kontaktuar nga partia e Isa Mustafës.

    “Nëse dëshiron me qenë serioz duhet me të thirrë me kohë, buxheti është në procedurë është dashtë me të thirrë moti”, ka thënë Hamza.

    Kurse, Rexhep Selimi, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ka thënë për Reporteri.net se qëndrimi i partisë së tyre mbetet i pandryshuar dhe se nuk do ta votojnë atë.

    Selimi thotë se një qeveri e cila nuk ka vota për ta kaluar një ligj, ajo nuk duhet të mbetet në këmbë.

    “Nuk kemi pse ta ndryshojmë qëndrimin, qeveria e ka sjell në Kuvend dhe ne kemi kundërshtimet tona për këtë projektligj dhe mbesim në të njëjtat qëndrime. Atë që e kemi denoncuar ne, qeveria dhe mazhoranca po mundohen këtë ligj ta kontrabandojnë si ndihmë për qytetarët që ju merren nga kursimet e veta. Nën hijen e Trustit, ata po duan t’i fusin duart te paratë e privatizimit. Nuk e kanë hallin e qytetarëve të cilët nuk po i ndihmojnë edhe ashtu, por po i përdorin si presion publik që ata ta shfrytëzojnë fondin e privatizimit. Nëse duan t’i ndihmojnë qytetarët nuk kanë nevojë që t’ua marrin paratë nga fondi i kursimit për t’ua dhënë qytetarëve, por qeveria duhet të hynte borxh për ta, por jo t’i fuste borxh për kursimet e veta”, ka thënë Selimi për Reporteri.net.

    Deri më tani, vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 miliardë euro me rreth 690 mijë kontributpagues.

    Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën prej 385 milionë eurosh. Ky projektligj synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, të ndihmohen bizneset, pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e coronavirusit. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!