Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, në një konference për medie ka bërë të ditur se sot ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë për shpërndarjen e 60 milionë eurove mbështetje për bizneset nga Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, shkruan Reporteri.net.
Kryeministri Hoti ka thënë se bizneset private do të përfitojnë 60 milionë euro.
“Kriteret kanë qenë të qarta pa procedurë të aplikimit në bazë të vendimit të qeverisë duke pasur parasysh numrin e të punësuarve. Vendimi i qeverisë siguron gjithpërfshirje të bizneseve në kuadër të Pakos për rimëkëmbje ekonomike. Komisoni ka nxjerrë listë finale prej 36 mijë e 679 biznese që janë kualifikuar për të qenë pjesë e kësaj pakoje për subvencionim të pagave. Këto biznese do të përfitojnë 60 milionë euro. Përfituesi më të mëdhenj janë bizneset e vogla. Firmat deri në dhjetë punëtor përfiltojnë mbi 40 për qind”, ka thënë kryeministri Hoti.
Ai ka thënë se subvencionimi shkon direkt nga theasarii shtetit në llogaritë bankare të bizneseve.
Hoti ka thënë se me këtë vendim është bërë një punë e madhe.
“Deri në fund të vitit ta kompensojmë ekonominë nga ndikimi i pandemisë. Këtë vit do ta përmbyllim me pasoja më të vogla se sa që e kemi parparë”, ka thënë Hoti.
Mbështetja për një punëtor do të jetë 290 euro.
Vendimi që mori Qeveria e Kosovës më 28 shtator, parasheh mbështetje direkte për bizneset e sektorit privat nga pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike.