×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Rexhep Selimi: Qeveria nuk e ka hallin te qytetarët, po dëshiron t’i fus duart te paratë e privatizimit

    Reporteri
    05 Tetor 2020 | 20:30

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të enjten të mbahet seanca e radhës plenare, ku një ndër pikat e rendit të ditës pritet të jetë paraqitja për herë të gjashtë për votim Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.


    Qeveria edhe një herë do të provojë fatin të enjten që të votohet ligji i cili mundëson tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka kontaktuar me Lëvizjen Vetëvendosje për t’i pyetur nëse do t’i japin përkrahje këtij ligji.

    Rexhep Selimi, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ka thënë për Reporteri.net se qëndrimi i partisë së tyre mbetet i pandryshuar dhe se nuk do ta votojnë atë.

    Selimi thotë se një qeveri e cila nuk ka vota për ta kaluar një ligj, ajo nuk duhet të mbetet në këmbë.

    “Nuk kemi pse ta ndryshojmë qëndrimin, qeveria e ka sjell në Kuvend dhe ne kemi kundërshtimet tona për këtë projektligj dhe mbesim në të njëjtat qëndrime. Atë që e kemi denoncuar ne, qeveria dhe mazhoranca po mundohen këtë ligj ta kontrabandojnë si ndihmë për qytetarët që ju merren nga kursimet e veta. Nën hijen e Trustit, ata po duan t’i fusin duart te paratë e privatizimit. Nuk e kanë hallin e qytetarëve të cilët nuk po i ndihmojnë edhe ashtu, por po i përdorin si presion publik që ata ta shfrytëzojnë fondin e privatizimit. Nëse duan t’i ndihmojnë qytetarët nuk kanë nevojë që t’ua marrin paratë nga fondi i kursimit për t’ua dhënë qytetarëve, por qeveria duhet të hynte borxh për ta, por jo t’i fuste borxh për kursimet e veta”, ka thënë Selimi për Reporteri.net.

    Ai thotë se qeveria me qëllim e ka zhagitur Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
    “Me qëllim e kanë zhagitë këtë projektligj për t’i fokusuar te diçka e veçantë siç është Trusti, e në anën tjetër të lulëzoj korrupsioni siç po lulëzon në institucionet e Kosovës. Një qeveri që nuk ka vota në Kuvend për ta kaluar një ligj nuk ka pse të ekzistoj edhe më tutje. Nuk e ka opozita borxh me ja bo votat”, ka thënë Selimi.

    Kujtojmë se nga PDK ka thënë për Reporteri.net se nuk e votojnë projektligjin e qeverisë nëse nuk merren parasysh edhe propozimet e tyre që i kanë dhënë kohë më parë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!