Autor: Linda Ibrahimaj
Mbi 36 mijë Euro në total i ka kushtuar buxhetit të shtetit vizita e Kryeministrit Albin Kurti dhe 5 zyrtarëve të tjerë të Qeverisë në SHBA. Nga to, 9 mijë e 304 Euro e 80 centë harxhime janë bërë vetëm për shefin e ekzekutivit për akomodim, bileta të udhëtimit dhe shpenzimet tjera. Kurti, por edhe tre përcjellës të tij hoqën dorë nga mëditjet gjatë këtij udhëtimi, për dallim nga shefi i stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, dhe fotografi Patrik Domi që i morën mbi 3 mijë e 500 Euro, në total, mëditje.
Mbi një muaj ka pritur Gazeta Online Reporteri.net që përmes qasjes në dokumente publike t’i sigurojë faturat e shpenzimeve të Kryeministrit Albin Kurti dhe përcjellësve të tij në vizitën mbi dy javore në SHBA, që kishte nisur më 6 maj 2022.
Vizita, që për shumë kë u konsiderua si ekskursion i Kryeministrit Kurti në SHBA, “kulmoi” vetëm me një takim me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, në javën e fundit të qëndrimit në SHBA.
Pa arritur të shkelë në Shtëpinë e Bardhë, Kurti gjatë udhëtimit përtej oqeanit, vizitoi qendrat e kompanive të mëdha teknologjike, si Microsoft, Uber, etj; inauguroi një konsullatë të Kosovës në Iowa, e më së shumti “spikati” me takimin me një imam në Çikago dhe këngëtaren Flaka Krelani në New York.
E për krejt këto shëtitje, vizita e takime, nga Kalifornia në Illinois, Midwestern, New York, Washington DC, etj., Kurti vet i gjashti i shpenzoi mbi 36 mijë Euro në total.
Kështu tregojnë të dhënat që i ka përcjellë vetë Zyra e Kryeministrit tek Gazeta Online Reporteri.net, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.
Shpenzimet e delegacionit të Kosovës gjatë vizitës në SHBA dalin se janë në total fiks 36,722.47 Euro.
Delegacioni, sipas të dhënave të Zyrës së Kryeministri del të ketë qenë i përbërë nga 6 zyrtarë të shtetit: Kryeministri i Kosovës Kurti, shefi i kabinetit Luan Dalipi, Këshilltarët Tien Mu, Arun Singh Chaudhary, dhe Lulzon Jagxhiu, si dhe fotografi Patrik Domi.
Vetëm Kryeministri Kurti del se gjatë 18 ditëve të qëndrimit në SHBA ka shpenzuar në total 9,304.80 Euro. 4,279.00 Euro atij i shkuan vetëm për bileta udhëtimi, kurse 4,853.68 Euro për akomodim. Ndërsa, sipas të dhënave të përcjella në ZKM-ja, Kurti shpenzoi vetëm 172 Euro e 12 centë për shpenzime tjera, duke hequr dorë edhe nga mëditjet.
Njëjtë si shefi i tij nuk veproi Luan Dalipi. Shefi i stafit të Kurtit del se i mori 1 mijë e 617 Euro mëditje për udhëtimin në SHBA. 4,770.97 Euro të buxhetit të shtetit del se shkuan për akomodimin e Dalipit përtej Oqeanit Atlantik. 108.22 Euro shpenzime tjera dhe 2,984.75 Euro tjera për bileta udhëtimi, që në total e kapin shifrën 9,480.94 Euro.
Sikurse Dalipi, para për mëditje mori edhe fotografi i Kurtit, Patrik Domi. Madje, mbi 200 euro më shumë sesa ai. Për Domin, sipas të dhënave të ZKM-së, u dhanë 1,963.50 Euro mëditje, 4,324.67 Euro për akomodimin e tij në SHBA, 3,047.95 Euro për biletat e udhëtimit, e vetëm 77.27 Euro për shpenzime tjera. Krejt këto në total rezultojnë të jenë 9,413.39 Euro shpenzime.
Udhëtimi në SHBA i këshilltarit amerikan të Kurtit, Arun Singh Chaudhary, për ta shoqëruar shefin kosovar në vendlindjen e tij, buxhetit të shtetit të Kosovës i kushtoi 2,970.40 Euro në total. Pak më pak sesa kushtoi shoqërimi i Kurtit në SHBA nga Tien Mu. Për këtë të fundit u bënë 2,921.19 Euro në total shpenzime. Derisa, për këshilltarin e tretë që e shoqëri Kurtin në SHBA, Lulzon Jagxhiu, u dhanë 2,631.75 Euro nga buxheti i shtetit. /Reporteri.net/.