Artistja Eliza Hoxha ka thënë se arsyeja që është bërë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës është adresimi i Prishtinës.
Ajo shtoi se në Prishtinë e ka vërejtur një potencial të madh i cili nuk është marrë seriozisht, shkruan Klan Kosova.
“Unë nuk kam hyrë në PDK për ta ndryshuar atë. Unë kam një bagazh të cilin e kam dhuruar dhe kam se çka të kontribuoj dhe ndihmoj në proceset për kryeqytetin. Mendoj se në Prishtinë ka shumë potencial i cili kurrë nuk është marrë seriozisht ose nuk është menduar seriozisht”.
“Në takimet që i kemi zhvilluar me Uran Ismailin kohët e fundit, unë e shoh që ai e ka një energji të jashtëzakonshme për ta adresuar Prishtinën apo për ta realizuar një ëndërr që i ka mbetur peng ose që e kemi lënë në sirtarë shumica prej nesh, për këto agjendat e mëdha, qofshin ato kolektive apo personale”.
“Për shembull, Urani kur ka hy si ministër në një sektor që është menduar se nuk mund të rregullohet, në ministrinë e Shëndetësisë, mendoj se për një kohë shumë të shkurtër ka arrit sukses me gjëra të vogla dhe me një energji të krijuar përbrenda për ta rizgjuar idenë e përgjegjësisë së sektorit të shëndetësisë dhe të mjekut si individ karshi institucionit në përgjithësi”.
“Për një kohë të shkurtër, ndoshta edhe me disa gjëra kozmetike, ju mund ta vëreni një mundësi tjetër, që tani ka shpresë mjekësia më në fund, të adresohet ndryshe”.
“E njëjta ka me qenë edhe për Prishtinën. Prandaj gëzohem që Urani është pjesë e këtij rrugëtimi. E para për energjinë që e reflekton, për atë se sa i hapur është për t’i dëgjuar mendimet e ndryshme dhe për t’i përbashkuar ato”.
“Fokusi jonë parësor ka qenë Prishtina, por nuk përjashtohen edhe mundësitë e tjera përbrenda vetë strukturës. Nuk dua ta largoj fokusin sepse Prishtina ka qenë arsye që unë kam vendos me qenë brenda partisë”.
“Është për të ardhur keq që Prishtina është zhvilluar aq shumë dhe në kuptimin hapësinor kjo gjë e ka mbytur Prishtinën. Veçanërisht tek pjesa e ndërtimeve ilegale edhe tek pjesa e shume lagjeve që janë ndërtuar me parametra urbanistik. Dallimet janë të vogla edhe në kuptim estetik edhe në atë praktik. Sfera publike mungon, hapësira publike mungon, gjelbërimi mungon, rrugët janë të patrajtuara si duhet”.
“Prishtinën e shoh të ngulfatur edhe nervoze çdo ditë. Është si një trup i një njeriut që nuk i punon zemra dhe arteriet i mbyllen, ashtu është Prishtina në disa ditë të caktuara. Mjedisi ku ne jetojmë, mënyra se ai është ndërtuar, neve na dikton edhe mënyrën se si sillemi”.
“Prandaj mendoj që Prishtina ka nevojë për një terapi dhe në këtë rrugëtim të terapisë, kozmetikisht duhet t’i adresojmë disa gjëra që ri-zgjojnë Prishtinën e bukur”.