Kongresisti amerikan Eliot Engel i cili është kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve në qeverinë amerikane, ka deklaruar se SHBA-ja duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë për arsye se kjo e fundit po furnizohet me armatim nga Rusia.
Eliot Engel ka thënë se Kongresi amerikan ka miratuar Ligjin e Sprapsjes së Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve(CAATSA) pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016-tës i cili ligj kërkon prej Administratës të vejë sanksione mbi Serbinë pasi po blen armatim nga Rusia, raporton Gazeta Express.
“Për më tepër, presioni i vënë mbi Prishtinën për tarifat e saja është tejet i jobalansuar. Diplomatët serbë janë duke e shëtitur globin, për t’i nxitur shtetet që ta çnjohin Kosovën dhe Serbia është duke i thelluar raportet e saja me Moskën teksa po blen sasi të konsiderueshme armatimi rus. Në të vërtetë, Sipas Ligjit të Sprapsjes së Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA), i miratuar nga Kongresi pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016-tës, këto blerje armësh lypsin prej Administratës që të vëjë sanksione mbi Serbinë. As që i kemi vënë këto sanksione dhe as nuk e kemi nxitur Serbinë më fuqishëm që t’u japë fund përpjekjeve të veta për çnjohje”, ka deklaruar kongresisti Engel.
Tutje, Engel ka thënë se SHBA-ja duhet të fillojë të balancojë qasjen e saj karshi Serbisë dhe Kosovës dhe të përdorin standarde të njëjta për të dyja shtetet.