×
  • Lajme
  • Lajme

    Enver Hasani ia kërkon Këshillit të Etikës vendimin për pezullimin e procedurës ndaj tij, paralajmëron se do t’i drejtohet Antikorrupsionit

    Reporteri
    05 Qershor 2025 | 11:52

    Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, njëherit Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik, Enver Hasani, i është drejtuar Këshillit të Etikës me një kërkesë më 23 maj, ku ka kërkuar që t’ia dërgojnë vendimin për pezullim, të nënshkruar dhe me numër protokolli, lidhur procedurën ndaj tij. Në këtë kërkesë, Hasani ka kërkuar të specifikohet data e marrjes së vendimit dhe arsyet e pezullimit të procedurës.   

    Në kërkesë thuhet se anëtarët e Këshillit që janë nga Fakulteti Juridik “kanë konflikt interesi në çdo shqyrtim të denoncimit që vjen nga mbikëqyrësi i tyre i parë, z.Avni Puka”. Hasani e ka denoncuar Pukën për mashtrim me doktoratë dhe plagjiaturë.

    “Në veçanti, kërkoj të konfirmohet se vendimi është marrë brenda afatave të përcaktuara me Rregulloren nr.857, datë 11.07.2017, për Masat dhe Procedurën Disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës. Vendimi për pezullim duhet të jetë një vendim paraprak, i arsyetuar dhe i nënshkruar nga personi i autorizuar. Vetëm pasi ta kem përpara një vendim të tillë, mund të jap një përgjigje më të plotë”, thuhet në kërkesën e tij.

    Po atë ditë, Hasani ka thënë se ka parashtruar kërkesë tjetër lidhur me përjashtimin e dy anëtarëve të Këshillit të Etikës nga Fakulteti Juridik, për siç ka thënë shkak të konfiliktit të interesit, përkatësisht për Flamur Hysenin dhe Fortuna Sheremetin. Hasani ka paralajmëruar se meqë ende nuk ka marrë përgjigje, sot do t’i drejtohet Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, për të kërkuar mendimin e tyre profesional nëse ekziston një konflikt i tillë interesi.

    Ai kërkuar që Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, të përjashtohet nga secili diskutim për të në Senat, siç ka thënë “për shkak të interest të qartë personal dhe konfliktit evident” në raport me çështjen e tij.

    “Shpresoj dhe besoj fuqishëm se Këshilli i Etikës do të gjejë forcën dhe integritetin e nevojshëm për t’u mbështetur vetëm në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, dhe nuk do të lejojë të bëhet instrument i politikave të ditës apo hakmarrjeve personale të askujt, përfshirë z. Avni Puka”, ka deklaruar Hasani.

    Ndryshe, Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” i ka rekomanduar në nëntor të vitit të kaluar Senatit që të ulë gradën akademike për profesorin Enver Hasani. Propozimi ishte që ai të degradohet nga profesor i rregullt në profesor të asocuar. Poashtu pjesë e vendimit të Këshillit të Etikës është edhe ai për revokimin e mirënjohjeve dhe privilegjeve të Hasanit si ish-rektor i UP-së, mohimin e pjesëmarrjes së tij në komisione profesionale për tri vjet si dhe mospërfshirjen në mentorim të të gjitha niveleve për një vit vijues duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

    Gjithashtu, Këshilli i Etikës kishte paraqitur vërejtje me shkrim për Hasanin që të përmbahet nga çfarëdo “gjuhe e papërshtatshme, fyese, pa takt akademik dhe denigrues ndaj personelit dhe punëdhënësit të UP-së”.

    Puka e kishte dërguar në Këshill të Etikës Hasanin, duke e denoncuar për shkelje të rënda të Kodit të Etikës së UP’së dhe obligimeve akademike. Veprimi i Pukës ishte cilësuar si shantazh e hakmarrje nga Hasani, i cili e ka denoncuar fillimisht Pukën për mashtrim me doktoratë dhe plagjiaturë.

    Këshilli i Etikës pastaj kishte konfirmuar vërtetësinë e përfundimit të studimeve të doktoratës në Universitetin e Romës nga ana e Pukës.

    Në vendim thuhet se “Këshilli i Etikës duke u bazuar në deklaratën e Universitetit të Romës “La Sapienza” të Italisë dhe diplomën e prezantuar, konfirmon vërtetësinë e përfundimit të studimeve të doktoratës në Universitetin e Romës nga ana e Prof. Asoc. Dr. Avni Puka”.

    Më poshtë gjeni gjithë mesazhin e Hasanit dërguar Këshillit të Etikës:

    Të nderuar anëtarë të Këshillit të Etikës,

    Më datë 23 maj 2025, kam dërguar një kërkesë ku kam kërkuar nga ju që të më përcillni vendimin për pezullimin e supozuar të procedurës së iniciuar ndaj meje, duke përfshirë datën dhe numrin e protokollit të tij. Arsyeja për këtë kërkesë lidhet me nenin 85 (Çështjet paraprake) të Ligjit nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPA), i cili rregullon çdo procedurë të Këshillit të Etikës (KE), në mungesë të dispozitave të brendshme shprehimore të Universitetit të Prishtinës, siç është rasti konkret. Ky nen e përcakton qartë se kur dhe si mund të kërkohet pezullimi i një procedure administrative. Duke u bazuar në këtë, nuk besoj se ndonjëherë është marrë një vendim i tillë që lidhet me emrin tim.

    Ajo që paraqitësi i kërkesës, z. Avni Puka, e quan “pezullim” në fakt përbën bartje ose delegim të vendimmarrjes te një këshill tjetër – një veprim që nuk mund të ndërmerret nga asnjë kryetar i ndonjë këshilli etike. Një transferim i tillë kompetencash mund të bëhet vetëm kur është i përcaktuar qartë në norma ligjore ose në rregullore të brendshme. Mirëpo, norma të tilla nuk mund të ekzistojnë në këtë rast, pasi pezullimi i një procedure bëhet vetëm me vendim të veçantë dhe për arsye të shprehura qartë në nenin si më sipër të LPA-së, siç u përmend më lart. Jashtë kësaj kornize ligjore, nuk ekziston asnjë bazë tjetër juridike brenda territorit të Republikës së Kosovës që do ta mbështeste një veprim të tillë.

    Një tjetër kërkesë që kam parashtruar më datë 23 maj 2024 ka pasur të bëjë me përjashtimin e dy anëtarëve të Këshillit të Etikës nga Fakulteti Juridik, për shkak të konfliktit të interesit — konkretisht z. Flamur Hyseni dhe znj. Furtuna Sheremeti. Meqenëse nuk kam pranuar ndonjë përgjigje nga ana juaj lidhur me këtë çështje, ju njoftoj se nesër do t’i drejtohem Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), si organ i specializuar për çështje të tilla, për të kërkuar mendimin e tyre profesional nëse ekziston një konflikt i tillë interesi, ashtu siç unë besoj dhe siç mendoj se është i mbështetur në bazë ligjore.

    Përveç sa më sipër, më lejoni t’ju rikujtoj se çështja që në emailin drejtuar mua është cilësuar si “denoncim”, në fakt nuk është dhe nuk mund të konsiderohet e tillë. Vetë personi që ka dërguar shkresën me shtojcë e ka cilësuar atë si kërkesë, jo si denoncim. Ai ka bërë një denoncim më herët, i cili është trajtuar nga një këshill etike në kushte të qarta konflikti interesi. Në momentin kur janë nisur procedurat mbi bazën e atij denoncimi nga z. Avni Puka, unë kam kërkuar përjashtimin e z. Iset Morina. Meqenëse ai nuk është përjashtuar vetë, ashtu siç e kërkojnë dispozitat e Ligjit Nr. 9367, datë 7.4.2005, për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksioneve Publike (LPKI), unë i jam drejtuar APK, si i vetmi organ i specializuar në Kosovë për të qartësuar situatat e konfliktit të interesit. APK ka dhënë opinionin e saj më datë 17 dhjetor 2024 dhe ka konstatuar se z. Iset Morina ka vepruar në kushte të konfliktit të interesit.

    Pas dhënies së propozimit kundër meje nga z. Iset Morina, më datë 26 gusht 2024, u zhvilluan zgjedhjet për rektorin e ri të Universitetit të Prishtinës. Rektori i ri, z. Arben Hajrullahu, e mori detyrën më 1 tetor 2024. Siç i isha drejtuar më herët z. Iset Morina, i jam drejtuar edhe z. Hajrullahu me kërkesën për të ndaluar procedurat ndaj meje deri në vendimmarrjen e APK lidhur me kërkesën time për përjashtimin e z. Iset Morina.

    Z. Arben Hajrullahu ka vepruar në mënyrë të ngjashme me z. Iset Morina, por me një dallim të rëndësishëm: më datë 27 nëntor 2024, në cilësinë e kryesuesit të Senatit, ai deklaroi – me plot të drejtë – se propozimi i z. Iset Morina, i cili tani synohet të rikthehet si një “denoncim i ri” nga z. Avni Puka, e ka tejkaluar afatin ligjor të brendshëm dhe, si i tillë, nuk mund të procedohet për konfirmim në Senat. Kjo në përputhje me Rregulloren nr. 857, datë 11.4.2017, për masat dhe procedurat disiplinore, konkretisht me nenin 7, paragrafi 7, i cili përcakton qartë afatet dhe obligimet e secilit organ të UP-së.

    Ky fakt është theksuar nga ana ime në një letër drejtuar z. Arben Hajrullahu dhe të gjithë senatorëve të Senatit të UP-së. Kjo letër i bashkëngjitet këtij emaili për dijeninë tuaj. Propozimi i z. Hajrullahu për hedhjen poshtë të propozim vendimit të Këshillit të Etikës së Iset Morinës është mbështetur nga Senati, dhe për këtë ekzistojnë incizimet e mbledhjes së datës 27 nëntor 2024, të publikuara në platformën kallxo.com dhe të arkivuara në dosjet e Universitetit të Prishtinës.

    Sipas nenit 69 (Akti real) të LPA, çdo akt apo veprim i ndërmarrë nga një organ apo epror në ushtrimin e funksioneve zyrtare, i cili ndikon në të drejtat dhe liritë e individit, përbën akt real të vlefshëm dhe ka të njëjtën fuqi sikurse një akt formal. Ky është një parim themelor dhe nuk duhet të jetë objekt kontestimi. Në këtë kontekst, nuk ka rëndësi nëse një vendim është formalisht i printuar apo jo – mjafton që ai të jetë marrë dhe të jetë pjesë e incizimeve zyrtare të mbledhjes. Incizimi në fjalë është publikisht i qasshëm në faqen zyrtare të kallxo.com.

    Opinioni i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), që konstaton se zoti Iset Morina ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesit, është dhënë shumë më vonë, më 17 dhjetor 2024. Kjo ka ndodhur pas vendimit të Senatit, i cili, me propozim të zotit Arben Hajrullahu – si kryesues ex lege – më 27 nëntor 2024, ka hequr këtë çështje nga rendi i ditës për shkak të tejkalimit të afatit tridhjetë ditor.

    As APK, as ndonjë tjetër, nuk kanë kompetencë për të rikthyer afatet, pasi kjo është prerogativë ekskluzive e ligjit dhe e gradacionit kushtetues që garanton sigurinë juridike. Gjendja e krijuar quhet res judicata, që do të thotë se çështja është e mbyllur për shkak të kalimit të afatit ligjor (për shkak të parashkrimit), dhe nuk mund të rihapet ligjërisht nga askush.

    Kur dhe si mund të ndodhë rivendosja e afateve, dhe kush ka të drejtë të kërkojë një gjë të tillë, përcaktohet qartë në Nenin 79 (Rivendosja në afat) të LPA. Ky nen zbatohen edhe për çdo procedurë të Këshillit të Etikës, sidomos kur nuk ekzistojnë rregulla të brendshme ose kur rregullat e brendshme bien ndesh me ligjin dhe Kushtetutën. Çdo shqyrtim apo vendimmarrje e mëtejshme mbi të njëjtin denoncim, i bërë pothuajse një vit më parë, do të përbënte keqpërdorim detyre zyrtare dhe do të përbënte bazë për përgjegjësi penale për çdo person që përfshihet në këtë veprim.

    Përveç kalimit të afatit para se të vinte opinioni i APK-së, i cili është bashkëngjitur si shtojcë nga kërkuesi Avni Puka dhe që e kam bashkëngjitur edhe unë me këtë email, një defekt ligjor edhe më serioz është fakti që Senati i Universitetit të Prishtinës, sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit (LPKI), ka detyrimin që çdo vendim të APK ta shqyrtojë në Senat për anulim dhe për udhëzime të mëtejshme për veprim – gjë që deri më tani nuk është bërë. Kjo është e qartë nga pika II e Opinionit të datës 17 dhjetor 2024, bashkëlidhur këtu.

    Rendin e ditës së Senatit e cakton rektori i Universitetit, siç dihet. Kanë kaluar muaj të tërë që nga dhënia e opinionit të APK-së, por ky shqyrtim nuk ka ndodhur ende. Për më tepër, eprori i organit ka detyrimin që të njoftojë APK-në për çdo masë të marrë lidhur me zbatimin e opinioneve të kësaj agjencie, por zoti Arben Hajrullahu nuk e ka bërë këtë, edhe pse kjo ishte përgjegjësi e tij. Kjo, megjithatë, mbetet përgjegjësi personale e tij.

    Sipas LPKI, askund nuk parashihet e drejta e dekanëve të UP apo të ndonjë universiteti publik për të kërkuar riaktivizimin e denoncimeve duke u mbështetur në një opinion të APK, ashtu siç ka vepruar zoti Avni Puka. Ky i fundit, duke u bazuar në opinionin e datës 17 dhjetor 2024, bashkëlidhur këtu sërish, paraqitet si palë e autorizuar për ta zbatuar atë, ndonëse në realitet nuk ka asnjë kompetencë ligjore për këtë.

    Sipas pikës II të opinionit të datës 17 dhjetor 2024, i cili mbështetet drejtpërdrejt në dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit (LPKI), subjektet e vetme kompetente për veprim janë Senati dhe eprori i institucionit, përkatësisht rektori i UP, z. Arben Hajrullahu. Askush tjetër nuk gëzon autorizim ligjor për të ndërmarrë veprime në emër të zbatimit të opinionit të APK. Askush!

    Nga diskutimet informale që po qarkullojnë në kuluare, është bërë e ditur se njëri prej anëtarëve të Këshillit të Etikës mund të kërkojë mendim nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës (AKK) në lidhje me këtë çështje. Një veprim i tillë do të përbënte provë shtesë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga ana e kujtdo që e ndërmerr, për një arsye të thjeshtë: bëhet fjalë për dokumente dhe raporte të AKK-së që i përkasin një viti akademik tashmë të përfunduar dhe që, sipas ligjit, mund të përdoren vetëm në kuadër të procedurave penale – kurrsesi në procedura të natyrës administrative siç janë ato të Këshillit të Etikës.

    Kushdo që mendon se dokumentet e AKK-së përmbajnë fakte ose prova që mund të kenë implikime penale, është i detyruar t’i referojë ato në organet kompetente të drejtësisë. Këshilli i Etikës nuk është, dhe nuk mund të shndërrohet, në zëvendësues të policisë, prokurorisë apo gjykatës – një rol që, në mënyrë të papërshtatshme dhe në vazhdimësi prej më shumë se nënt muaj, po synon t’ia atribuojë këtij Këshilli z. Avni Puka, lidhur me të njëjtën çështje.

    Më lejoni t’ju bëj me dije arsyen pse z. Avni Puka, me çdo kusht dhe në mënyrë të përsëritur, tenton të përdorë Këshillin e Etikës si mjet për të zgjidhur hesapet e tij personale ndaj meje. Kjo lidhet me faktin se ndaj tij ekzistojnë dy kallëzime penale të ushtruara nga ana ime.

    Njëri prej tyre lidhet drejtpërdrejt me rastin në fjalë, përkatësisht me pagesën e padrejtë dhe të kundërligjshme të orëve të mia gjatë kohës kur unë ndodhesha jashtë vendit për trajtim shëndetësor, ndërkohë që ligjëratat i mbulonin kolegët e Katedrës së të Drejtës Ndërkombëtare – me qëllim që studentët të mos pësonin. Z. Puka e ka ditur mirë këtë fakt, por përsëri ka ndërmarrë pagesën, veprim për të cilin është hapur hetim penal. Tashmë, përmes Këshillit të Etikës, ai synon të më mbyllë gojën dhe të prodhojë materiale të reja që të përdoren si “prova” për të shpëtuar nga hetimi penal. Kjo përbën ndërhyrje në drejtësi dhe është një fakt që Këshilli i Etikës duhet ta marrë seriozisht parasysh.

    Arsyeja e dytë lidhet me një tjetër kallëzim penal nga ana ime, për deklarim të rremë lidhur me kualifikimet akademike të z. Puka. Ai ka pretenduar se ka përfunduar studimet e doktoratës në Fakultetin Juridik të Universitetit “La Sapienza” në Romë, Itali – pretendim i fals dhe i pavërtetuar me dokumentacion zyrtar. Kjo përbën mashtrim të rëndë akademik dhe vepër penale.

    E gjithë kjo fushatë që po zhvillon z. Puka përmes Këshillit të Etikës, nuk ka tjetër qëllim përveç heshtjes sime si person që ka ngritur këto çështje serioze para organeve kompetente. Por një gjë duhet të jetë e qartë: kjo nuk do të ndodhë. Si intelektualë, si qytetarë të përgjegjshëm dhe si të përkushtuar ndaj kushtetutës dhe ligjit, është detyrimi ynë moral dhe ligjor të denoncojmë veprat penale, kurdo dhe nga kushdo që kryhen – pavarësisht presionit apo tentativave për intimidim.

    Përfundimisht, për të gjitha arsyet e paraqitura më sipër, lus sekretarin e Universitetit të Prishtinës, si dhe drejtuesit e çdo mbledhjeje të Senatit, që sa herë përmendet emri im në punimet e këtij organi të nderuar, të kërkohet përjashtimi i z. Avni Puka për shkak të interesit të qartë personal dhe konfliktit evident në raport me çështjen time.

    Siç dihet publikisht, në mbledhjen e Senatit të datës 27 nëntor 2024, sic shihet edhe në incizim shumë qartë, disa senatorë studentë kanë dëshmuar për ushtrim presioni dhe kërcënime ndaj tyre, për të votuar kundër meje. Këto veprime bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës dhe përbëjnë vepra penale. Sjelljet e tilla – të cilat përfaqësojnë një logjikë presioni e jo akademike – nuk i bëjnë nder institucionit të Senatit dhe duhet të përjashtohen nga praktika e punës së tij.

    Kjo letër paraqet qëndrimin tim zyrtar dhe i dërgohet për transparencë të plotë në punën tuaj dhe në respekt të opinionit publik:

    n Të gjithë senatorëve të Universitetit të Prishtinës

    n Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës

    n Agjencisë së Akreditimit të Kosovës

    n Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit

    n Prokurorisë Themelore në Prishtinë

    n Dhe të gjitha mediave të Republikës së Kosovës

    Ata që e njohin mirë historinë e konspiracioneve të drejtuara për të dëmtuar individë, e dinë se një rast i ngjashëm në përmasa dhe mentalitet ishte Afera Drejfus në Francë, në fund të shekullit XIX. Ai rast mbeti shembull i dhimbshëm i padrejtësisë që buron kur institucionet shndërrohen në mjete të luftërave personale dhe të gënjeshtrës.

    Shpresoj dhe besoj fuqishëm se Këshilli i Etikës do të gjejë forcën dhe integritetin e nevojshëm për t’u mbështetur vetëm në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, dhe nuk do të lejojë të bëhet instrument i politikave të ditës apo hakmarrjeve personale të askujt, përfshirë z. Avni Puka.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!