Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka folur për zhvillimet e sotme në Kuvend dhe bllokadën e krijuar pasi nuk kaloi as raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve.
Hasani ka thënë se presidentja Vjosa Osmani s’ka kurrfarë roli tashmë, pas asaj që ka ndodhur në Kuvend, dhe sipas tij, vetëm me një marrëveshje të partive politike për votim të raportit mund të ecet tutje.
“Zero. Asnjë rol nuk ka presidenti/ja aty. Është gabim. Nuk di se kush i ka thënë ashtu”, ka thënë Hasani për REL.
I pyetur për zgjidhjen se si duhet të veprohet tutje, ai ka thënë se vetëm me një marrëveshje politike mes partive.
“Rrugëdalja është që të arrihet marrëveshja politike dhe të votohet (miratohet) raporti (i Komisionit për verifikimin e mandateve)”, ka thënë ai tutje.
Hasani ka sqaruar se “Marrëveshje politike do të thotë dorëheqjen e kryeministrit dhe atyre që janë në poste ekzekutive ose miratimi i raportit, ashtu siç është (situata e tanishme pa dorëheqje të kryeministrit), të bëhet betimi i deputetëve. Në momentin që jepet betimi, atëherë nuk ka nevojë për dorëheqje, sepse objektivisht, i pushon mandati (ekzekutiv). Sipas fuqisë kushtetuese nuk mund të jesh edhe deputet edhe në post ekzekutiv apo në cilindo post tjetër publik”.
Ai ka thënë se në momentin që betohet si deputet dikush, s’mund të shkojë edhe në zyrën e kryeminsitrit, meq është shkelje e Kushtetutës dhe absurd.
“Ta sqarojmë. Pra, në momentin që bën betim (për deputet) kushdo qoftë, nuk mund të jetë dhe nuk mund të shkojë në Zyrën e kryeministrit, sepse është jokushtetuese dhe është absurd’, ka thënë ai.