×
  • Lajme
  • Lajme

    Enver Hoxhaj: Nuk jam kandidat për kryetar të PDK-së

    Reporteri
    01 Korrik 2021 | 17:12

    Enver Hoxhaj ka njoftuar se nuk është kandidat i PDK-së për kryetar të kësaj partie në zgjedhjet e brendshme që do të mbahen më 3 korrik.


    Kështu njoftoi ai në një konferencë për media, gjersa shtoi se PDK-ja ka nevojë të ndërtohet e të modernizohet.

     

    “PDK ka nevojë të ndërtohet e të modernizohet. Nga e shtuna PDK hap një kapitull të ri, duhet të shënojë rikthimin e PDK-së. Unë vazhdoj të jem pjesë e këtij rrugëtimi. Me PDK-në, kam pasur momentet më të mira dhe fitoret më madhështore. Ka qenë fati im, që ta marrë udhëheqjen e PDK-së në momentet më të vështira, pas goditjes nga Gjykata Speciale. Në zgjedhjet e kaluara të gjithë kanë menduar që PDK-ja do të humbasë më së shumti në zgjedhje, por ne kemi dalë në vendin e dytë pas cunamit politik”, tha ai.

    “Tani është koha që PDK-ja të rikonstrukturohet e të pozicionohet që të përballet me sfidat e një Qeverie populiste. Unë nuk jam kandidat për kryetar të PDK-së, por kjo s’do të thotë ikje nga përgjegjësia apo ikje nga gara, puna, përkushtimi. Vendimi është vendimi më i mirë që kam marrë. Ky vendim mund të bashkojë e ta rrit unitetin brenda PDK-së. Unë kam shpresuar që mund të ketë më shumë kandidatë në garë që gara të jetë më e gjallë, por të shtunën do ta kemi një kryetar të ri të partisë”, shtoi Hoxhaj.

    “Si një njëri i shkolluar në perëndim, çdo herë kam besuar që gjenerata e re mund ta bëjë ndryshimin në PDK, kurse detyra jonë si lidership është ta mbështesim lidershipin që del nga Konventa e 3 korrikut”, deklaroi deputeti i PDK-së.

    Po ashtu, Hoxhaj tha se nuk është në dijeni nëse ka kandidatë tjerë për kryetar të PDK-së, përveç Memli Krasniqit.

    “Ky ka qenë vendim i imi personal në të mirën e PDK-së”, u shpreh Hoxhaj në konferencë për shtyp.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!