×
  • Lajme
  • Lajme / EKSKLUZIVE për Reporteri

    Escobar i kundërpërgjigjet Vuçiqit për kërcënimin ndaj Kosovës: Askush s’mund ta ndalë fqinjin e vet t’i zgjedhë aleancat e sigurisë

    Autor:Mentor Gjergjaj
    21 Mars 2024 | 13:00

    Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, thotë se SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n. Por, sipas Escobar, në një deklaratë ekskluzive dhënë për gazetën online Reporteri.net, Serbia edhe asnjë shtet tjetër nuk mund t’ua përcaktojë fqinjëve të vetë zgjedhjen e aleancave të sigurisë, duke iu kundërpërgjigjur kështu një kërcënimi të presidentit serb ndaj Kosovës. 

    Gabe Escobar, këto qëndrime i dha duke komentuar edhe një deklarim të fundit të ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, që citohet të ketë thënë se “Serbia sot është më afër NATO-s sesa Kosova”.

    SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n. Në të njëjtën kohë në theksojmë se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n nëpërmjet KFOR-it dhe NALT dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera të sigurisë me shumë aleatë të NATO-s, përfshirë SHBA-në“, thekson Gabriel Escobar në një deklaratë të lëshuar të enjten, ekskluzivisht për gazetën online Reporteri.net.

    Tutje, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor i është kundërpërgjigjur direkt edhe një mesazhi kërcënues të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se nëse Perëndimi zgjedh Kosovën, “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë”.

    Zyrtari i lartë amerikan, i ngarkuar me detyrë nga Presidenti Joe Biden për rajonin, e bën të qartë se asnjë shtet nuk mund ta pengojë tjetrin në orientimin e saj strategjik dhe zgjedhjen e aleancave të veta të sigurisë.

    SHBA-ja beson se të gjitha shtetet janë të lira për të përcaktuar vetë politikën e jashtme dhe të zgjedhin aleancat e veta të sigurisë. Asnjë shtet nuk duhet të pretendojë veto ndaj orientimeve strategjike të fqinjëve të vet“, tha Escobar ekskluzivisht për gazetën online Reporteri.net.

    SHBA-ja zmbraps kërcënimet nga Serbia: NATO-ja është gati

    Ndaj deklaratës së Vuçiqit, ka reaguar të mërkurën edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Në një konferencë për media, ai tha siguria e Kosovës dhe siguria që garanton SHBA-ja është më e fortë se kurrë. “Nuk e humbim gjumin duke u shqetësuar për këto kërcënime , sepse besojmë se NATO është gati dhe e përgatitur”.

    Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të njëjtën ditë ka deklaruar se një shtet si Serbia, i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat mbi të cilat qëndron NATO-ja, lëre që është larg NATO-s, por as që mund të ëndërrojë që një ditë të jetë pjesë e aleancës veri-atlantike.

    Shefja e shtetit kosovar, reagim dje pati edhe ndaj deklarimit të ambasadorit Hill, që sipas Presidentes Osmani “kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkretë drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së [Sllobodan] Millosheviqit”

    Ndaj retorikës nxitëse të presidentit serb, të mërkurën me një deklaratë doli edhe Qeveria e Kosovës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!