Escobar: Nuk ka nevojë të dërgohen forca speciale aty ku kemi KFOR-in

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, e ka kritikuar Kosovën për faktin e dërgimit të Njësisë Speciale në veri.


Ai ka thënë se Forcat Speciale nuk duhet të dërgohen në një vend ku është KFOR-i.

“Shikoni, më duhet të them se ne jemi shumë të angazhuar në këtë çështje me partnerët tanë evropianë. Ne besojmë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun”, ka thënë Escobar për VOA

“Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje. Është gjithashtu në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, ka thënë ai.