I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
“Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar.
Escobar tutje ka thënë se “ende shpreson që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e menjëhershme të parave të gatshme në euro për këta njerëz”.
📽️ Escobar: Kurti refuzoi propozimet për dinarin
Emisari amerikan ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit rreth ndalimit të dinarit serb në Kosovë.
🔗 Më shumë: https://t.co/5nci1ZejlV pic.twitter.com/74aqUDyCQB
— Radio Evropa e Lirë (@evropaelire) March 15, 2024
Escobar tregoi edhe arsyetimet që i ka marrë nga kryeministri Kurti.
“Kryeministri tha se ky është një vendim i një institucioni të pavarur, në të cilin ai nuk dëshiron të përfshihet. Ose që kjo është një telashe për njerëzit që mund të tejkalohet lehtësisht ose që mund të zëvendësohet me pagesa nga Qeveria e Kosovës. Por, asnjëra nga këto nuk do të ndodhin shpejt. Për këtë arsye ne po kërkojnë shtyrje të zbatimit. Tani, unë e kuptoj normalisht që një Bankë Qendrore dhe Ministria e Financave e bëjnë më të mirën e tyre për të mos krijuar jostabilitet dhe paparashikueshmëri në ekonomi. Ata e bënë pikërisht këtë gjë”, ka thënë Escobari.
Tani, tha tutje ai, “ka disa jashtë që besojnë që kjo u bë për t’i ndëshkuar serbët”.
“Unë nuk e besoj këtë. Por, unë besoj që – meqë kjo Qeveria e Vetëvendosjes nuk ka një histori të gjatë qeverisjeje – nganjëherë ka njerëz që nuk i mendojnë pasojat deri në fund. Dhe, unë mendoj që kjo është pse unë e karakterizova këtë në Bruksel si paksa jokompetencë, sepse kur flasim për pasojat e padëshirueshme, të gjithë e kuptuan se ka pasoja të padëshirueshme. Por, këto mund të ishin parashikuar dhe do të ishin parashikuar nëse nuk do të ishte [veprim] i pakoordinuar”, tha emisari amerikan.
QUINT-i, tha tutje Escobar, “ka shumë përvojë në konvertimin e monedhave, duke kaluar nga një monedhë në euro, por iu desh shumë kohë. Ne kishim vetëm pesë javë”.