×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi zyrtar

    Escobar takoi familjen e rreshterit të vrarë Bunjaku, me drejtorin e policisë foli për sulmin në Banjskë

    Reporteri
    18 Mars 2024 | 12:27
    Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan Gabriel Escobar, gjatë qëndrimit në Kosovë javën e kaluar, u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha dhe familjen e heroit Rreshter Afrim Bunjaku, përcjell Reporteri.net.

    Në njoftimin për media, theksohet se Escobar kërkoi për t’u takuar me të venë dhe djemtë e rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, të cilët shoqëroheshin nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

    “Escobar, në prani të Ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier, dhe Atasheut të DOJ-ICITAP-it Kimberly Riffe, shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta familjes për humbjen tragjike të babait/bashkëshortit të tyre. Ngjarja ishte shumë emocionuese dhe e përzemërt dhe personalitetet e larta i shprehën ngushëllimet e tyre familjes dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim e sotëm të policisë.

    Në një takim të veçantë, thuhet tutje në kumtesën e policisë, Hoxha informoi Escobarin dhe atasheun Riffe për sulmin ndaj policisë në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku, dhe situatën aktuale të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

    Escobar vlerësoi mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt me kreun e Policisë së Kosovës. Theksohet se Hoxha përcolli mirënjohjen e tij të thellë për Shtetet e Bashkuara dhe stafin e shumtë të ambasadës që ndihmojnë policinë dhe janë të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!