Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ka treguar nëse SHBA-ja sheh ndonjë lidhje midis sulmit në Banjskë dhe shtetit të Serbisë.
“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por po e hetojmë në tërësi. Ne nuk po i kërkojmë Serbisë hetime të 24 shtatorit [kur ndodhi sulmi në Banjskë], ne po i kërkojmë llogaridhënie”, tha Escobar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Escobar ka folur edhe për faktin se Radoiçiq po endet i lirë nëpër Serbi.
“Mendoj se është e papranueshme. Ne kemi thënë, publikisht dhe privatisht, se ai duhet të dalë para drejtësisë. Se ai është një i kërkuar ndërkombëtar nën sanksione amerikane dhe nuk ka vend për të si njeri i lirë. Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës. Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi”, u shpreh Escobar.
Nuk e di për Kosovën, tha Escobar, “por hetimet janë duke vazhduar, janë duke vazhduar me kompetencë”.
“Në Serbi ne kemi thënë që ai duhet të arrestohet dhe duhet të ngarkohet për krimet, për të cilat mund të ngarkohet në Serbi. E di që ekziston edhe një fletarrestim i INTERPOL-it për të”, tha Escobar.
Kanë kaluar më shumë se pesë muaj prej sulmit në veri të Kosovës, si pasojë e të cilit u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit, më pas u vranë edhe tre sulmues.
Për Radoiçiqin ende nuk ka vendim prej drejtësisë.
Pas sulmit në fshatin e komunës së Zveçanit, Radoiçiq – i përfshirë në listën e zezë amerikane për pjesëmarrje në krim të organizuar ndërkombëtar – ka shkuar në Serbi.
Atje, Prokuroria e Beogradit e ka marrë në pyetje dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë për disa vepra, përfshirë trafikimin e armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.
Megjithatë, ai tani është në liri, teksa është thënë se atij i janë konfiskuar dokumentet dhe se i ndalohet shkuarja në Kosovë.
Zyrtarët shtetërorë të Kosovës kërkojnë vazhdimisht që Radoiçiq dhe vetë shteti serb të mbahen përgjegjës për sulmin në Banjskë, të cilin e konsiderojnë “terrorist”.
Më 13 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Radoiçiq “është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi e nga Serbia”.
“Deri sot, Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për sulmin terrorist, paçka se përfshirja e saj direkte është bërë e njohur publikisht e botërisht”, u shpreh Kurti.
Beogradi zyrtar, në anën tjetër, e mohon përfshirjen në këtë sulm.