×
  • Lajme
  • Lajme

    Eskalon situata mes LDK-së dhe VV-së, Hyseni e quan kryefajtor Albin Kurtin

    Reporteri
    15 Mars 2020 | 13:36
    Foto: Kushtrim Tërnava

    Njeriu kryesor i Lidhjes Demokratike të Kosovës që po komunikon me Shtëpinë e Bardhë, Skender Hyseni, ka thënë se LDK do t’i japë përgjigje adekuate deklaratave të papërgjegjshme dhe lojërave politike të Albin Kurtit.


    Reagimi i Hysenit ka ardhur pasi sot Shefi i Vetëvendosjes drejtoi gishtin kah LDK si fajtore pse s’është hequr pjesërisht taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake.

    Mirëpo, anëtari i Kryesisë së LDK’së, Skender Hyuseni, ka thënë se taksa nuk do të hiqet pjesërisht por duhet të largohet krejtësisht dhe pa reciprocitet në përputhje të plotë me qëndrimin e SHBA’së.

    “LDK do të marrë qëndrim adekuat karshi situatës së re të krijuar dhe ne asnjë mënyre nuk do të lejojë që partneriteti me SHBA dhe botën demokratike të cenohet e lëre më të prishet. Prandaj, është anakronike dhe tërësisht e papranueshme loja me mesazhe e me deklarata skajshëm të papërgjegjshme të Kryeministrit Kurti”, ka thënë Hyseni, në një bisedë për Express.

    Hyseni ka thënë se në ditët, javët dhe muajt në vazhdim Kosova do të ketë nevojë për bashkëpunim me gjithë miqtë ndërkombëtar për shkak të koronavirusit.

    Prandaj, ka thënë se konfrontimet me miq do t’i sjellin dëme të mëdha Kosovës ku kryepërgjegjës do të jetë lideri i Vetëvendosjes.

    “Fajtor për këtë gjendje dhe për gjendjen që mund të krijohet është ekskluzivisht Kryeministri Kurti dhe askush tjetër”, ka thënë më tej Hyseni.

    Edhe Isa Mustafa ka thënë për Express se mosheqja e taksës ka ndodhur për shkak të qëndrimeve dogrmatike dhe konspiracioniste të Albin Kurtit.

    Ish-kryediplomati thotë Albin Kurti ka zgjedhur lojërat absurde politike edhe në kohën kur Kosova dhe bota po përballet me koronavirusin.

    “Është pikërisht siç ka thënë Kryetari Mustafa, për më tepër gjejë më logjikshme sot do të ishte që Kryeministri Kurti ta mblidhte Qeverinë dhe të merrte qëndrim për heqjen e tarifave pa asnjë kushtëzim dhe pa reciprocitet. Këto lojëra politike janë drejtpërdrejt kundër interesave të qytetarëve të Kosovës dhe të ardhmes së Kosovës”, ka thënë Hyseni.

    Hyseni ditë më parë qëndroi në SHBA ku takoi njeriun kryesor të Trump që po merret me ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi. Atje, Hyseni foli me Richard Grenellin, i cili ka dalë hapur kundër heqjes me kushtet të taksës.

    Në këtë drejtim, Skender Hyseni thotë se në këtë kohë s’ka vend për lojëra politike.

    “Sepse kjo është kërkesë e fuqishme e Shtëpisë së Bardhë dhe është nevojë imediate e Kosovës dhe popullit të Kosovës. pra, heqja e tarifës pa kushte është në interes të popullit të Kosovës. Çuditërisht në vend që Kryeministri Kurti të jipte përgjigje adekuate ndaj një interesi jetik të popullit të Kosovës ai sot ka zgjedhur variantin e lojëra të mëtejme absurde politike. Madje, në një kohë krizë të përballjes së vendit me koronavirus”, ka shtuar ai.

    Sipas tij, duhet të marrë fund politika konfrontuese e Kosovës me SHBA’në.

    “Pikërisht ashtu siç e ka thënë edhe Kryetari Mustafa, LDK’ja është në mënyrë proaktive e vendosur që të mos lejojë asnjë veprim që Kosovën e vë në konfrontim me aleatin kryesor strategjik, SHBA’në. Pra, do ta përmbyllë duke konstatuar që është për keqardhje sjellja e Kryeministrit Kurti karshi interesave jetike të Kosovës dhe popullit të saj. Ai sot në vend që të ‘helmonte’ kushtimisht popullin e Kosovës me lojëra politike do të duhej ta mblidhte qeverinë urgjentisht dhe të mirrte vendim të prerë që taksa hiqet pa asnjë kusht dhe pa reciprocitet”, ka thënë Hyseni.

    Sot në kohën kur është dashur të niste heqja e pjesshme e taskës, Kurti shkroi një status në Fb, duke kërkuar falje dhe duke lënë përgjegjëse LDK’në pse s’ndodhu një gjë e tillë.

    “Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”, ka shkruar Kurti.

    Këtyre akuzave i është përgjigjur edhe lideri i LDK’së, Isa Mustafa. Në një bisedë për Express, ai tha se faji nuk është tek LDK-ja, por te vetë Kurti.

    “Kryeministri nuk e hoqi tarifën shkaku vetvetes, jo i LDK-së. Këto punë nuk behën me qëndrime dogmatike dhe me konspiracion. Për të mos dështuar, tarifa duhet te hiqet tërësisht”, ka thënë Mustafa për Express.

    Mustafa e ka lidhur mosheqjen e tarifës edhe me gjendjen që është krijuar për shkak të virusit Covid-19.

    Ai thotë se në ditën në vijim, problemet për furnizim mund të rriten.

    “Problemet, te cilat mund te rriten ditët ne vijim me mungesë të drithit, miellit dhe te disa produkteve tjera, flet për paradoksin e ekzistencës se tarifës si pengesë për import të lirë”, ka thënë Mustafa. I pari i LDK-së ka shtuar se partia e tij nuk do të pajtohet asnjëherë me heqje të pjesshme të tarifës dhe reciprocitet.

    “Prandaj, jo vetëm që nuk jemi pajtuar për heqje të pjesshme dhe reciprocitet, pa marrëveshje me aleatët tanë, por aq me pak do te pajtohemi ne te ardhmen”, ka deklaruar Mustafa për Express.

    Vetëvendosje dhe LDK kishin thënë se janë pajtuar 100 për qind kur lidhen koalicion dhe ndërtuan Qeverinë e re. Mirëpo, ende s’e kanë një qëndrim të unifikuar për këtë problem.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!