Mbrëmë, në orët e mesnatës, një plagosje ka ndodhur në një lokal nate në Prishtinë, gjatë kohës kur po mbahej ndeja e fundvitit me stafin e Telekomit të Kosovës.
Një ndejë që do të shënonte përmbylljen e vitit të Telekomit eskaloi në përleshje mes zyrtarëve të kësaj kompanie, duke çuar në plagosjen e njërit prej tyre, shkruan Reporteri.net.
Rastin e ka konfirmuar edhe policia e Kosovës, e cila ka njoftuar pas një zënke mes disa personave, ka ardhur deri te shkrepja e plumbit që la të plagosur Shaban Ramajn, zëvendësdrejtor i Departamentit të Logjistikës në Telekomin e Kosovës.
Sipas policisë viktima ka thënë se është lënduar aksidentalisht (vetëplagosur). Në vendin e ngjarjes është konfiskuar edhe arma me të cilën është shkrepur plumbi dhe janë intervistuar një numër i dëshmitarëve.
“Rruga ,,Enver Zymberi” Prishtinë, 19.12.2019 rreth orës 23:40 Në një lokal ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri. Njësitet relevante policore kanë dal në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri tek plagosja ka ardhur pasi një fjalosjeje (zënke) mes disa të rinjve. I plagosuri deklaron se është lënduar aksidentalisht vet-plagosur. Policia ka konfiskuar një armë, ka intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë”, thuhet në raportin e Policisë.
Me aktvendim të prokurorit një i dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Reporteri.net