Misioni Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit në Kosovë ka mohuar të ketë kryer arrestimin e Adem Zogjanit dhe pastaj dërgimin e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, ashtu siç kanë deklaruar familjarët e tij. Madje, EULEX thotë se nuk ka asnjë njohuri për vendndodhjen e ish-ushtari Zogjani, shkruan Reporteri.net
“Misioni Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk e ka arrestuar personin të cilit ju i referoheni në email. Ky informacion nuk është i vërtetë. EULEX nuk ka njohuri për vendodhjen e këtij indvidi. Ju lutem kontaktoni autoritetet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Gazetën online Reporteri.net
Dje, Liridon Zogjani përmes një njoftimi në profilin e tij në “Facebook”, ka treguar se babai i tij Adem Zogjani në orën 7 e 30 të mëngjesit është ftuar nga misioni i EULEX-it në Kosovë dhe nga aty është dërguar për në Hagë.
Ai tha se për një gjë të tillë s’është vënë në dijeni as babai i tij e as familja.
“Sot ne ora 07:30 te mëngjesit , Babi është ftuar nga misioni Eulex dhe nga aty është dërguar për ne Hage , pa e ditur dhe pa e kuptuar as ai dhe as familja”, ka shkruar Liridon Zogjani.
Zogjani ka thënë se babai i tij nga Prokuroria Speciale është ftuar shkaku i veprimtarisë në periudhën e luftës.
“Nga Prokuroria speciale është ftuar për periudhën e luftës”, ka shtuar tutje.
Ai tutje ka thënë se babai i tij ka qenë përkrahës i celulave të para të UÇK’së bashkë me vëllain e tij Hysen Zogjanin.
Adem Zogjani ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidat i kësaj partie për kryetar të Fushë Kosovës.
Megjithatë, Zogjani në vitin 2019 kishte vendosur që të largohej nga partia që drejtonte Kadri Veseli dhe i ishte bashkuar partisë së Ramush Haradinajt./Reporteri.net