×
  • Lajme
  • Fokus 5

    “Fabrika mbi tokë për pasurimin e uraniumit në Iran është shkatërruar”, thotë kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike

    Reporteri
    13 Qershor 2025 | 23:11

    Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “fabrika mbi tokë ku Irani prodhonte uranium të pasuruar deri në 60% është shkatërruar.”

    Grossi gjithashtu deklaroi se ndotja radiologjike është e menaxhueshme nëse merren masa të përshtatshme, dhe se ka ndotje radiologjike dhe kimike brenda objekteve në Natanz, raporton Cnn.

    Ai shtoi se nuk ka shenja të sulmeve ndaj sallave të pasurimit nëntokësor në Natanz, por se sulmet ndaj furnizimit me energji elektrike mund të kenë dëmtuar centrifugat.

    Izraeli sulmoi Iranin duke goditur objektet bërthamore dhe ushtarake, një prej tyre edhe Natanz, objektin më të madh të pasurimit të uraniumit në Iran.

    Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), sulmet kanë shënjestruar infrastrukturën kritike të objektit, e cila, sipas tyre, ka funksionuar për vite me radhë për të arritur aftësinë e armëve bërthamore dhe strehon infrastrukturën e nevojshme për pasurimin e uraniumit në nivele ushtarake.

    Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë publikuar një foto satelitore që tregon me detaje strukturën dhe infrastrukturën e objektit më të madh të pasurimit të uraniumit në Iran, i ndodhur në zonën e Natanzit, i cili ishte shënjestër e sulmeve gjatë natës, por edhe sot. Po ashtu, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë publikuar edhe një VIDEO 3D që përshkruan vendin e pasurimit të uraniumit në Natanz.

    Sulmi ka shënjestruar: ndërtesën e kontrollit (Control Building), transformatorët elektrikë që furnizojnë sistemin e pasurimit, si edhe zona nëntokësore, e pozicionuar në qendër të kompleksit, që përbën thelbin e veprimtarisë bërthamore të Iranit.

    Sipas zëdhënësit të IDF-së, Gjeneral Major Effie Defrin, Izraeli goditi “objektin më të madh të pasurimit të uraniumit në Iran”, duke iu referuar kompleksit bërthamor nëntokësor në Natanz.

    “Ky objekt u përdor nga Garda Revolucionare për të çuar përpara programin e tyre ushtarak bërthamor”, tha Defrin, duke vënë në dukje se sulmi izraelit “shkaktoi dëme serioze” si në godinën nëntokësore të pasurimit ashtu edhe në infrastrukturën kritike në objekt.

    Defrin pohoi se Tel Avivi shkroi drejt këtij përshkallëzimi sepse “nuk kishte zgjidhje tjetër”. “Ne goditëm kompleksin nëntokësor dhe pika të tjera jetësore në këtë zonë”, tha ai.

    Në hartën e publikuar, IDF ka shënuar me të kuqe të gjitha zonat e konsideruara si objektiva strategjike, duke theksuar se këto goditje janë pjesë e përpjekjeve për të ndalur programin bërthamor të regjimit iranian.

    “Ne do të vazhdojmë të veprojmë për të parandaluar regjimin iranian nga pajisja me armë bërthamore,” – thuhet në deklaratën e IDF.

    “Nivelet e rrezatimit jashtë centralit bërthamor të Natanzit mbeten “të pandryshuara” pas një vale sulmesh izraelite”, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.

    Pse Izraeli synon pikërisht këtë qendër?

    Natanz është objekti kryesor për pasurimin në shkallë të gjerë të uraniumit, një proces që prodhon material që mund të përdoret si për qëllime civile, ashtu edhe për ato ushtarake.

    Irani mohon të jetë në kërkim të armëve bërthamore dhe nuk njihet se ka prodhuar uranium të pasuruar në nivel ushtarak, por Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka vlerësuar kohët e fundit se Teherani mund të prodhojë armë bërthamore nëse e rafinon më tej uraniumin që zotëron.

    Natanz ka dhjetëra mijëra centrifuga dhe është një nga qendrat kryesore që kontribuon ndjeshëm në shtimin e rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.

    Objekti i Natanzit ka qenë ndër vite në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. I përfshirë në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që kufizonte aktivitetet që Irani lejohej të zhvillonte në Natanz, por që nga tërheqja e SHBA-ve nga marrëveshja në vitin 2018, gjatë presidencës së Donald Trump, aktiviteti në këtë objekt është rritur ndjeshëm.

    Izraeli besohet të ketë ndërmarrë disa operacione sabotimi ndaj Natanz gjatë viteve të fundit. Kjo qendër u godit nga një sulm kibernetik madhor në vitin 2010, si dhe pësoi dëmtime nga eksplozivë të fshehur në një tavolinë në vitin 2020.

    Një vit më pas, Natanz pësoi dëme të tjera të konsiderueshme në një sulm misterioz, për të cilin Irani akuzoi sërish Izraelin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!