×
  • Lajme
  • Lajme

    Fadil Geci nis dëshminë në Gjykatën Speciale, do të flasë për komunikatën 59

    Reporteri
    21 Tetor 2024 | 14:23

    Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci është dëshmitari i radhës, i cili filloi të hënën dëshminë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

    Ky dëshmitar është i 96-ti me radhë dhe mban kodin W04240. Ai ishte me masa mbrojtëse, por pas seancës private në fillim, atij iu hoqën masat.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e Gecit pritet të zgjasë rreth dy ditë.

    Prokurori James Pace, përfaqësues i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha se dëshmitari Fadil Geci do të flas lidhur me autorësinë e komunikatës 59-të të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

    “Dëshmitari ka luftuar gjatë luftës dhe ka pas pozicione të ndryshme brenda LDK-së, duke përfshirë këtu edhe postet drejtuese të LDK-së në Skenderaj. Dëshmitari jep informacion lidhur me themelimin e LDK-së, strukturën e saj, anëtarësimin dhe aktivitetet dhe marrëdhëniet në mes LDK-së dhe UÇK-së, duke përfshirë këtu edhe kërcënimet, sulmet nga pjesëtarët e UÇK-së kundër anëtarëve të LDK-së”, tha prokurori.

    Ndryshe, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Ndërsa, përmes vido-lidhjes është i pranishëm gjyqtari Christoph Barthe.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!