×
  • Lajme
  • Lajme

    Familja kërkon drejtësi për vrasjen e mistershme të Abedin Bytyqit

    Reporteri
    19 Shtator 2020 | 19:39

    “Ani e kanë vra e kanë vra, po pse me ja kall trupin se?” Kësaj pyetjeje nuk po i gjen kurrsesi përgjigje tash e 4 vjet Avdi Bytyqi, për vrasjen e djalit të tij Abedinit.


    44-vjeçari Abedin Bytyqi nga Semetishti i Suharekës, u zhduk në mënyrë të mistershme gjatë tetorit të vitit 2016, e tek pas 3 muajve kërkimi, trupi i tij u gjet në një mal i groposur e i djegur.

    Lotët i shoqërojnë prindërit e Abedinit sa herë që flasin për vdekjen e të birit.

    Avdi Bytyqi i cili pohon se ka zgjedhur rrugën ligjore për të kërkuar drejtësi, ai është i zhgënjyer shumë nga ajo, raporton KTV.

    Në lidhje me këtë Gjykata Themelore e Prizrenit gjatë nëntorit të 2019 shpalli fajtorë të akuzuarit Murat Ademin dhe dënoi më 25 vite burgim, Resmije Bytycin me 20 vjet burg e Fadil Fetiu me 12 vjet burg. Por, i njëjti rast u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në qershor të 2020, pas u gjetën një mori shkeljesh të identifikuara.

    Me dënimin e Fadil Fetiut s’po pajtohet mbrojtja e tij, pasi që sipas avokatit, Fetiu i cili akuzohet për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë, ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë pavarësisht kërcënimeve që ka pasur.

    Gjykata e Prizrenit liroi nga akuzat Reshat Ademin, vëllanë e Muratit, pasi që nuk kishte pasur prova për të.

    Në aktakuzën prej 9 faqeve të cilën e posedon KOHA, e ngritur në maj të 2019-s, thuhet se Murat e Reshat Ademi, kushërinjtë e Resmijë Bytyqit, e cila është edhe bashkëshortja e viktimës dhe Fadil Fetiu, kishin bashkëpunuar për ta privuar nga jeta Abedin Bytyqin, duke e lidhur së pari, e duke e dërguar në një vend të panjohur, më pastaj kanë filluar ta godasin me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupor, dhe më pas në mënyrë mizore dhe barbare me qëllim të shkaktimit të dhimbjeve të mëdha fizike dhe psikike viktimës, ia vënë zjarrin duke i shkaktuar dhimbje vdekjeprurëse të cilat e shkaktuan vdekjen e tij, të cilin më pas e hedhin në një gropë dhe e mbulojnë me dhe.

    Sipas kësaj aktakuze, Murat Ademi pas kryerjes së veprës penale, me qëllim të zhdukjes së provave ka gjuajtur diku tjetër telefonin dhe kuletën e viktimës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!