Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar sot për rreth katër orë nga Prokuroria Speciale, si i dyshuar lidhur me aferën e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore. Pas intervistimit, Peci është liruar në procedurë të rregullt. E ndonëse janë bërë rreth tri orë që prej kur është liruar, Peci ende s’e ka thënë asnjë fjalë për këtë çështje, shkruan Reporteri.net.
Lirimin e tij për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
“Ka përfunduar(intervistimi). Z. Peci është liruar në procedure te rregullt”, ka thënë Luta.
Deri tani, në mbrojtje të Pecit kanë dalë Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Gërvalla ka sulmuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, teksa marrjen në pyetje të Pecit e ka cilësuar si hakmarrje, shkruan Reporteri.net.
“Inskenim i gërditshëm ky aksioni i sotëm i Blerim Isufajt kundër ministrit Faton Peci, ministrit më shembullor të këtij mandati. Hakmarrje e shëmtuar ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u ballafaquar me secilën shkelje të ligjit, pa marrë parasysh se sa të rrezikshëm janë shkelësit dhe sa shumë shokë e ortakë kanë në Prokurorinë Speciale”, ka shkruar Gërvalla.
Sipas saj, ky është tentim për ta njollosur Pecin.
“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë. Por, kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë”, ka shkruar Gërvalla.
Ndërkohë, Haxhiu është shprehur e bindur se Peci ka bërë punë të jashtëzakonshme në Ministrinë që e drejton. Sipas saj ky është një plan për ta dëmtuar Pecin dhe Qeverinë Kurti.
“Unë jam shumë e bindur që ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme në ministrinë e Bujqësisë. Nuk ka asgjë për të fshehur këtu, nuk ka pasur ndërhyrje, ne kemi pasur rastin të diskutojmë para disa ditëve dhe sot, ai është shumë i hapur që të bashkëpunojë me institucionet për të zbardhur këtë plan për ta dëmtuar ministrin Peci dhe Qeverinë Kurti. Pra nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka ndërhyrje dhe do të jetë kurdo që të ftohet nga institucionet”, tha Haxhiu para gazetarëve.
Përveç Pecit, nga Prokuroria Speciale është intervistuar edhe Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha.
Edhe ai, sikurse Peci është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Artan Qerkini. Qerkini tha se Hoxha ka dhënë deklaratën dhe se është liruar në procedurë të rregullt.
“z.Hoxha është intervistuar. E ka dhënë një deklaratë. Konsiderojmë që nuk ekziston asnjë lloj dyshimi se ka kryer ndonjë vepër penale. Për vazhdimin e hetimeve do t’u mbajmë të informuar. Në cilësinë e të dyshuarit, mirëpo është liruar në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Qerkini për media.
Intervistimi i tyre u bë pas bastisjeve që janë kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale në katër lokacione, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës lidhur me dyshimet me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Prokurori i rastit, Admir Shala sot gjatë ditës, në një deklaratë për mediat ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale ka nisur hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Në anën tjetër, nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë çdo informatë për çdo interesim që mund të ketë.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë./Reporteri.net