Ministri “i dorëhequr”, Faton Peci, ka publikuar disa vendime që i kanë marrë, e që ai tha se janë tregues se ata e kanë “prioritet vetëm Kosovën”.
Ai e ka quajtur qeverinë kujdestare, ndërkohë që anëtarëve të kabinetit që kanë fituar mandate në Kuvend po u kërkohet të japin dorëheqje, sipas ligjit.
“Mirëmëngjes nga Qeveria kujdestare, në detyrë e cila edhe në këto rrethana, ka prioritet vetëm Kosovën”, ka shkruar ai.
Albin Kurti dhe kabineti qeveritar po pretendojnë se janë dorëhequr nga postet ekzekutive qysh më 23 mars. Por të martën dështoi konstituimi i Kuvendit, ngase përfaqësuesit e partive politike nga, PDK, LDK dhe AAK thanë se anëtarët e kabinetit nuk kanë dhënë dorëheqje para betimit si deputetë.
Këto pari votuan kundër verifikimit të mandateve të deputetëve duke bërë kështu që Kuvendi të mos konstituohet më 15 prill.
Kuvendi dështoi të konstituohet edhe dje, ndërsa vazhdimi i seancës është caktuar për nesër. /Reporteri.net/