×
  • Lajme
  • Lajme / Reduktimet

    Ferizaj me orë të tëra pa rrymë, Azemi i LDK-së: Kjo Qeveri na ka kthyer në vitet e pasluftës

    Reporteri
    26 Dhjetor 2024 | 8:12

    Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka publikuar një video ku ka theksuar gjendjen e rëndë me të cilën po përballen qytetarët dhe bizneset në Ferizaj për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike.

    Në videon e shoqëruar me zhurmën e gjeneratorëve, Azemi tregon sesi banorët dhe bizneset vendase po i durojnë ndërprerjet e rënda të energjisë elektrike gjatë ditëve të ftohta të dimrit.

    “Qytetarët e Kosovës, por edhe mërgimtarët që kanë ardhur për pushime, festat e fundvitit po i presin në terr.

    Ka disa ditë që qytetarët e Ferizajit në këto ditë të ftohta por edhe bizneset, po përballen me reduktime të ashpra të rrymës. Ky kaos në sektorin e energjisë është pasojë e paaftësisë së qeverisë e cila është zhytur në korrupsion. Për 4 vjet, nuk kanë arritur të ofrojnë zgjidhje dhe me zhurmën e gjeneratorëve, na kanë kthyer në vitet e pasluftës”, tha Azemi mes tjerash.

    Për mungesën e rrymës në Ferizaj është ankuar edhe kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Ai përmes një statusi në Facebook, ka thënë se Ferizaj po përballet me mungesë të pashembullt të energjisë elektrike.

    “Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pa ndodhur më parë sa i përket furnizimit me energji elektrike. Vetëm sot, mbi 5 orë pa rrymë i gjithë Ferizaj, e kjo gjendje po vazhdon edhe tani. Në terr familjet, në terr mërgimtarët që kanë zgjedhur të kalojnë festat me familjarët e tyre në vendlindje, në terr bizneset që po humbin mijëra euro çdo orë nga dëmet që sjell mungesa e energjisë elektrike”, ka shkruar Aliu në Facebook.

    Gazeta online Reporteri.net raportoi mbrëmë se zona të tëra të Ferizajt kanë mbetur pa rrymë për orë të tëra, gjë që sipas disa banorëve që i janë drejtuar gazetës online Reporteri.net po ndikon edhe në mungesë të internetit në mobil.

    Kjo pasi sipas tyre, mungesa e energjisë elektrike ka prekur edhe antenat e kompanive të telekomunikimeve që mbulojnë disa zona të qytetit./Reporteri.net/

    Ferizaj, 10 orë pa rrymë

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!