×
  • Lajme
  • Lajme

    “Fërrka në PDK”: Lushtaku flet si kryetar, Haxhiu e Lushtaku 2 e kthejnë kokën në anën tjetër – si nisi përplasja mes tyre

    Reporteri
    21 Prill 2019 | 19:30

    Autor: Blendi Gashi


    Sami Lushtaku me 215 vota për të delegatëve, 24 kundër dhe 4 abstenime u rizgjodh të dielën edhe për një mandat kryetar i PDK-së në Skenderaj, shkruan Reporteri.net.


    Për dallim nga vitet e kaluara ku Samiu ishte i “paprekshëm” kësaj here ai kishte disa figura të njohura nga Drenica që tentuan ta pengojnë ta marrë një mandat, thënë më saktë ishin kundër zgjedhjes së tij.

    Fjala është për Nuredin Lushtakun nënkryetar i komunës së Skenderajt dhe deputeti Bekim Haxhiu (Kamishi) që njihen si krahë të kryetarit të Skenderajt Bekim Jashari, edhe pse nuk dihet nëse dy të lartcekurit janë në mesin e 24 delegatëve që kanë dhënë votën kundër Lushtakut.

    Por fotoja që ka postuar Lushtaku pas zgjedhjes kryetar ku ai i drejtohet të pranishmëve me një fjalë rasti flet shumë.

    Aty shihet se si Bekim Haxhiu e Nuredin Lushtaku fare nuk e dëgjojnë teksa flet Samiu, ku sidomos Bekimi shihet se ka kokën të kthyer në drejtim krejt tjetër, ndërsa Nuredini ulur.
    Për dallim prej tyre nga fotoja shihet se Samiun e dëgjojnë me vëmendja deputetja Blerta Deliu, ish-kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci e zyrtarë të tjerë të PDK-së.

    Se Dega e PDK-së së Skenderajt nuk ishte unike si viteve të kaluara e tregon edhe përplasja në nëndegën e Klinës së Epërme ku “dy grupet” u përplasën jo pak me fjalë mes vete, ku për pak nuk kërciti grushti, për të cilën ngjarje raportori Reporteri.net dhe dha detaje të hollësishme se si ndodhi përplasja dhe pse u anulua procesi zgjedhor.

    Si nisi “armiqësia”

    Kujtojmë se përplasja nisi qysh në zgjedhjet lokale pasi Bekim Jashari kandidoi për të parin e komunës.

    Lushtaku kishte lënë të hapur mundësinë e kandidimit për kryetar por që u tërhoq më pas duke i dhënë mbështetje Jasharit.

    Por pas zgjedhjes së këtij të fundit dolën problemet në komunë pasi u hodhën akuza në drejtim të Lushtakut se njerëz të tij po bojkotojnë punën e Kuvendit.

    Me datë 28 shtator ndodhi një përleshje në Kuvendin Komunal të Skenderajt mes asamblesitëve.

    Për këtë incident kryetari Bekim Jashari kishte drejtuar gishtin kah Sami Lushtaku duke thënë se grupacione të interesave të ngushta personale, ishin organizuar që të pamundësojnë votimin e buxhetit zhvillimor, buxhetit të qytetarëve të Skenderajt.
    “Grupi i deputetëve të Sami Lushtakut, Musa Dervishit e Malosr Bejtes, pasi dështuan të bllokojnë punën time dhe të Ekzekutivit, dhe votimin e buxhetit të komunës se Skenderajt, përmes Malsor Bejtes, që është dorë e zgjatur e Sami Lushtaku, krijuan tensione në asamble, me ç’rast Malsor Bejta ka nxjerr një thikë për të sulmuar asamblistët dhe drejtorët. Gjendja e Malsor Bejtes ishte jashtë çdo norme të një asamblisti dhe qytetari normal, prandaj është dashtë intervenimi i personelit të sigurimit për ta neutralizuar atë”, kishte thënë Jashari.

    Përjashtimi i “Kamishit”…

    Situata sa vinte e nxehej. Pas katër muajsh, Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, që udhëhiqej nga Sami Lushtaku, më datë 23 janar të 2018-tës mori vendim për përjashtimin e 7 anëtarëve të zgjedhur të partisë në Kuvendin Komunal, si dhe nënkryetarin e degës, Bekim Haxhiu, i njohur si “Kamishi”.

    Sami Lushtaku si arsye për përjashtimin e “Kamishit” kishte dhënë se ky i fundit ka nxitur përçarje brenda PDK-së dhe nuk ka përfillur vendimet dhe qëndrimet politike të organeve legjitime të PDK-së dega në Skenderaj.

    “Kamishi” kishte reaguar pas vendimit të degës së PDK-së në Skenderaj që ai bashkë me disa anëtarë tjerë të përjashtohen, me ç’rast kishte deklaruar se nuk e njeh vendimin nëfjalë, pasi që partia është në proces zgjedhor.

    “Nëse dikujt i ka penguar rreshtimi im në përkrahje të djalit të Heroit Hamëz Jashari, është çështje e tyre! Për mua kandidimi i Bekim (Hamëz) Jasharit për Kryetar të Komunës se Skënderajt, ka qenë nderi me i madh që iu është bërë qytetarëve të Skenderajt dhe për mua ishte privilegj angazhimi politik në përkrahje të tij”, thotë Kamishi.

    Situata u bë edhe më e “zjarrtë” në shkurt të 2018 kur pasardhësi i Familjes Jashari hedhi akuza të rënda në drejtim të Samiut duke thënë se ai edhe babanë dhe xhaxhanë në vitin 1998 i la për 5 vjet dhe iku në Gjermani.

    Ndaj këtyre akuzave kishte reaguar Sami Lushtaku i cili i kishte thënë se Bekim Jashari djali i heroit Hamzë Jashari nuk ka njohuri rreth viteve të luftës, pasi siç ka thënë ai, Bekimi ka qenë në moshë të re në atë periudhë.

    “I ri ka qenë Bekimi në atë kohë me tregu drejtën. S’kam koment. Unë e respektoj familjen Jashari, por Bekimi ka qenë i ri në atë kohë”, kishte thënë Lushtaku.

    Vlen të theksohet se pas përplasjeve kishte raste kur Bekimi dhe Samiu drekonin së bashku edhe pse kishin raportet e ftohta mes vete.

    Ishte Bekimi që kishte shkuar në konakun e Lushtakut më 2 maj të 2018-tës, për çka pasardhësi i familjes Jashari kishte sqaruar se si nikoqir i Komunës kishte shoqëruar kryeministrin Ramush Haradinaj dhe asgjë më shumë, pasi ky i fundit vizitoi Skenderajn. /Reporteri.net/.

    Sami Lushtaku rizgjedhet kryetar i PDK-së në Skenderaj, kaq vota ishin kundër tij

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!