×
  • Lajme
  • Lajme

    Festa e Vitit të Ri në Klinikën Infektive

    Reporteri
    31 Dhjetor 2020 | 22:34

    Hapat e vetëm që dëgjohen nëpër korridoret e ftohta dhe të zbrazura të Klinikës Infektive janë ata mjekëve dhe infermierëve të cilët po kryenin vizitën rutinore tek pacientët e shtrirë këtu.


    Në natën e fundit të vitit dhjetëra pacientë të infektuar nga Covid-19 ndërrimin e moteve do ta kalojnë të shtrirë pa praninë e familjarëve.

    E mjekët po kujdesen që ata të jenë në humor.

    “Ne do të jemi tërë natën bashkë do ta kalojmë vitin e ri këtu…”, i thotë doktoresha Lindita Ajazaj-Berisha një pacienti.

    Por dikush tjetër po kërkon që këtë natë ta ketë të paktën një familjar afër vetes.

    “Dikush duhet me ardhë” thotë pacienti teksa doktoresha i përgjigjet se “jo, jo – unë do të jem këtu me ty, bashkë kemi me kalu Vitin e Ri”.

    Kishte të tillë që prisnin që të liroheshin po këtë natë.

    Pacientët e tjerë, ku shumica prej tyre janë me oksigjenoterapi, thonë se të rëndësishme e kanë që ta kalojnë sa më shpejt këtë sëmundje.

    Natën e fundit të vitit Klinika Infektive e përmbyll me 78 pacientë të shtrirë ku rreth 60 për qind e tyre janë duke u trajtuar me oksigjeno terapi. E për t’u kujdesur për gjendjen e tyre shëndetësor në këtë natë do të kujdestarojnë drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Ajazaj-Berisha së bashku me një pjesë të stafit shëndetësor.

    “Pas vizitës 11 pacientë janë liruar ndërsa nga pacientët që janë të shtrirë 60 për qind e tyre janë me oksigjenoterapi dhe tre i kemi në mjekimin inteziv me respirator me CPAP. Kemi ende pacientë që janë në gjendej të rëndë por që janë duke u menaxhuar nëpër reparte”, ka thënë ajo.

    Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 184 raste pozitive, ndërsa 420 të tjerë janë shëruar.

    Gjithashtu 3 pacientë kanë vdekur nga Covid-19, duke e çuar në 1 mijë e 335 numrin e të vdekurve.

    Kosova e përmbyll këtë vit me rreth 41 mijë persona të infektuar dhe mbi 8 mijë raste aktive./koha

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!