×
  • Lajme
  • Lajme

    Festë në Kosovë pas njohjes nga Izraeli, Hoti cakërron gotat me këshilltarin e Osmanit

    Reporteri
    01 Shkurt 2021 | 15:35

    Kosova dhe Izraeli i kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike mes tyre, duke e zyrtarizuar njohjen e ndërsjellë përmes një ceremonie virtuale ku morën pjesë dy ministrat e Jashtëm të të dy vendeve.


    Pas ceremonisë virtuale, në një ambient me flamuj të Kosovës dhe Izraelit, por edhe flamurin e SHBA-së, janë parë duke festuar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Faton Peci, këshilltari i ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani. Ndonëse me një sërë mosmarrëveshjes dhe me shumë kundërshti mes tyre, Hoti dhe Peci që jo shumë kohë më parë ishin bashkëpartiakë, i kanë cakërruar gotat dhe e kanë uruar njëri-tjetrin për këtë sukses.

    Gjatë ceremonisë, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi është lajmëruar nga Jerusalemi në ceremoninë virtuale të zyrtarizimit të kësaj njohjeje. Pas deklaratave ku ai dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla e kanë falënderuar e uruar njëri-tjetrin, Ashkenazi e ka zbuluar pllakën me mbishkrimin “Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem, Izrael”.

    Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga administrata Trump në shtator. Marrëveshja përfshinte gjithashtu normalizimin midis Izraelit dhe Kosovës dhe që të Kosova dhe Serbia të hapnin ambasadat e tyre në Jeruzalem.

    Kosova do të ishte vendi i parë me shumicë myslimane që do ta vendoste ambasadën e saj në Izrael në Jeruzalem, dhe bashkë me Serbinë do të ishin vendet e para evropiane që e bëjnë këtë. Deri tani, vetëm SHBA-ja dhe Guatemala kanë ambasadat e tyre në Jeruzalem. Shumica e vendeve kanë zgjedhur t’i vendosin dhe t’i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!