×
  • Lajme
  • Sport
  • Lajme

    FFK dënon aktivitetet e klubeve serbe në Kosovë: Ato e cënojnë sovranitetin e vendit

    Reporteri
    04 Prill 2023 | 20:41
    Foto ilustruese

    Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimin e garave ilegale të futbollit nga ana e strukturave të Serbisë brenda Kosovës.

    FFK ka thënë se dënon ashpër këto aktivitete duke thënë se është i vetmi institucion i cili bën organizimin e futbollit në Kosovë.

    “Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër zhvillimin e garave ilegale të futbollit nga ana e strukturave të Serbisë brenda territorit të vendit tonë. FFK është anëtare me të drejta të plota në UEFA që nga maji i vitit 2016 dhe si e tillë është institucioni i vetëm me statutin e UEFA-s dhe të FFK-së që bën organizimin e garave të futbollit në Republikën e Kosovës.”, thuhet në njoftimin e FFK-së, përcjell Reporteri.net.

    Federata ndërkaq ka kërkuar nga institucionet përkatëse t’i ndalojnë këto aktivitete.

    “FFK kërkon nga të gjithë faktorët relevant të shtetit, Këshilli për Sport dhe organet e rendit, që të ndërmarrin hetime urgjente dhe t’i ndalojnë aktivitetet e tilla ilegale dhe është e gatshme të ndihmojë me ekspertizë dhe mbështetje përmes mekanizmave të UEFA-s dhe FIFA-s”, ka deklaruar FFK.

    Ndër të tjera FFK tha se janë të hapur për bashkëpunime me komunitetet në Kosovë duke e përfshirë edhe komunitetin serb.

    Shqetësime kanë shprehur edhe në lidhje me pengesat e krijuara nga MKRS në lidhje me mos licencimin e FFK-së, përkundër plotësimit të dokumentacionit si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të fundit të organeve të hetuesisë në pavarësinë e FFK-së.

    Sipas tyre, këto veprime të autoriteteve të Kosovës kundrejt pavarësisë së FFK-së i kanë trimëruar strukturat ilegale të Serbisë që të organizojnë aktivitete të futbollit në Kosovë.

    Tutje, ata kanë thënë se në lidhje me zhvillimet e fundit nga organet e hetuesisë kundrejt FFK-së, do të reagojnë dhe do të kërkojnë intervenimin e UEFA-s, gjatë takimeve që do t’i ketë delegacioni i Kosovës në Kongresin e radhës të UEFA-s që do të mbahet nesër në Lisbonë të Portugalisë./Reporteri.net./

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!