×
  • Lajme
  • Lajme / Rundi i ri i dialogut

    Fillojnë takimet dypalëshe në Bruksel

    Reporteri
    02 Korrik 2024 | 14:41

    Një tjetër raund i dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë është sot në rendin e ditës në Bruksel dhe këtë herë kryenegociatorët e dy palëve, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq kanë udhëtuar drejt kryeqytetit të Bashkimit Evropian. Ky raund dialogu vjen vetëm një javë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq qëndruan në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, por nuk pati asnjë takim kokë më kokë mes të dyve. Sipas njoftimit të zyrtarëve evropianë, temë e takimit të sotëm do të jetë zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Petkoviq dhe Bisljimi sot kanë takime të ndara me të dërguarin special për dialog, Miroslav Lajçak, të cilat raportohet se tashmë kanë filluar, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Ndërsa është paralajmëruar edhe një takim trepalësh, raporton Euronews, edicioni në gjuhën serbe.

    Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak është shprehur se nuk ka pasur progres në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

    Vet, Lajçak i ka cilësuar si shumë sfiduese bisedimet e javës së kaluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte konfirmuar se në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

    Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

    “E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.

    Shefi në largim i diplomacisë evropiane, Josep Borell, i ka dërguar porosi kryeministrit Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, se obligimet e dialogut nuk do të ndryshojnë, edhe kur ai të largohet nga posti dhe do të vijnë njerëz të tjerë për ta udhëhequr BE-në.

    Ai thotë se lehtësimi i BE-së nuk mund të arrijë më shumë normalizim sesa dëshiron Kosova dhe Serbia.

    “Pas disa muajsh, njerëz të tjerë do të jenë në krye të kësaj teme në Bruksel, por pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve Anëtare të tij nuk do të ndryshojnë. Angazhimet dhe obligimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të largohen”.

    “Të gjithë do të shikojnë ende gatishmërinë e presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës për të ofruar një të ardhme më të mirë evropiane për popullin e tyre. Në fund, duhet guxim, vizion dhe vullnet politik. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në çdo hap gjatë rrugës”, tha Borrell.

    Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kurti këtë deklaratë e bëri teksa foli për takimin e së mërkurës në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, ku shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

    Kurti tha se këto kërkesa të garancisë, në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike, të cilën tha se Serbia vazhdimisht po e sulmon. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!