Fillon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga diaspora

Në Qendrën e Numërimit të Votave ka filluar procesi i rinumërimit të votave të Diasporës.


Nga Gjykatës Supreme janë aprovuar 4670 pako, ndërsa janë refuzuar 1212 pako.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur zëdhënësi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili para medieve ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Supreme kanë filluar me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime.

“Pra, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar 4639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4670, ndërsa janë refuzuar 1212”, ka thënë Elezi.

Mes tjerash, ai ka treguar arsyet e refuzimit të 1212 pakove me fletëvotime.

“Arsyet e refuzimit të tyre kategorizohen në 5 grupe si në vijim: 535 raste kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që nuk janë regjistruar suksesshëm si votues në listën votuese jashtë Kosovës; 115 raste janë kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që janë refuzuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës; 128 raste të tjera që kanë dërguar fletëvotime persona që nuk kanë dërguar kopje të dokumentit për t’u identifikuar; 159 raste kur personat kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë; Dhe 275 raste kur personat që kanë dërguar fletëvotime, kanë pasur kopje të dokumentit me afat të skaduar”, ka shtuar Elezi, i cili ka thënë se sonte do të përfundojë procesi i numërimit të këtyre votave.

Ai mes tjerash ka theksuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të numërohen vetëm zarfet e supozuara me fletëvotime.

Derisa ka folur për shpalljen e rezultateve përfundimtare, ai ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë një gjë të tillë, pasi të marrin konfirmimet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme.